Ndërlidhjet

HARADINAJ:"AAK DO TË FITOJË NË ZGJEDHJET E TETORIT"


Ramush HARADINAJ, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, një nga temat më aktuale në Kosovë tani është çështja e decentralizimit. Si e shihni ju këtë çështje?

RAMUSH HARADINAJ
Ne kemi bërë përpjekje që më herët, në tre vjet kohë, që të studjojmë dhe të gjejmë mënyrën më të efektshme të organizimit të pushtetit lokal. Së fundi, grupi punues i qeverisë me ekspertë nga UNMIK-u, nga Këshilli i Evropës dhe nga USAID-i, kanë arritur në një materie që njihet si kornizë për reformimin e pushtetit lokal. Ne do ta zhvillojmë edhe më tutje këtë materie, por sidomos do të vazhdojmë me nxjerrjen e ligjeve të nevojshme, që do të mundësojnë reformimin e pushtetit lokal, përkatësisht decentralizimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, ambasadori amerikan në Beograd Majkëll Polt, këto ditë ka deklaruar se për Kosovën do të vendoset në Kosovë dhe jo në Beograd, Uashington, Bermude apo në ndonjë vend tjetër. Cili është komenti juaj rreth kësaj çështjeje?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se ky është një deklarim i drejtë dhe është në logjikën e të drejtës ndërkombëtare. Ne si popull i shtypur, që kemi kaluar përmes një pushtimi të egër dhe një lufte për çlirim, do të na njihet e drejta për vetëvendosje dhe kjo e drejtë, pra vullneti ynë i shprehur si vetëvendosje, i obligon të gjithë dhe buron në Prishtinë. Jam i bindur që rreth implementimit të vullnetit tonë politik dhe çështjeve që ndërlidhen me mandatet që ka bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, duhet të hapen biseda, negociata, për të cilat ne si Kosovë jemi të përgatitur që t'i kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare, rol të mëtejshëm edhe pas pavarësisë, një rol në siguri në Kosovë, si mandati i NATO-s dhe një mision monitorues apo vëzhgues në periudhën e parë të shtetit të pavarur të Kosovës. E them edhe njëherë që të gjitha përpjekjet tona për të bërë kalimin e nevojshëm nga një pozitë e tashme e Kosovës në shtetin e pavarur të Kosovës e kanë burimin dhe vendimi do të merret në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, ndonëse politika "Standardet para statusit" ende mbetet qasje e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, megjithatë kohëve të fundit, dëgjohen edhe zëra të tjerë, sipas të cilëve vetëm disa nga standardet janë të rëndësishme, ndërsa të tjerat mund të mbeten për realizim pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. A mendoni se kemi të bëjmë me një qasje të re të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, apo kjo ende është herët të thuhet?

RAMUSH HARADINAJ
Ajo që mund të them është që plani "Standardet për Kosovën" ka qenë një plan i daljes nga status quo-ja, pasi erdhi në periudhën kur kishim dy vjet stagnim të plotë në Kosovë në procesin e ndërtimit të mëtejshëm të institucioneve të Kosovës, kompletimit të tyre, pra të kalimit të përgjegjësive tek vendorët dhe plani si i tillë na mundësoi që bashkarisht vendorë dhe ndërkombëtarë të vazhdojnë procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës dhe arritjen e rezultateve nëpër fusha të ndryshme të qeverisjes. Mendoj se tani pikëpamjet rreth planit "Standardet për Kosovën", janë avancuar edhe më shumë dhe ne presim që të gjithë në Kosovë, si vendorët, por edhe bashkësia ndërkombëtare, të jemi më pragmatikë dhe të veprojmë më efektshëm për ato standarde që janë prioritare, pra që janë më urgjente dhe të cilat do të vërtetojnë se në Kosovë egziston pjekuria politike, egziston vullneti politik i politikës kosovare, i institucioneve të Kosovës, për të arritur suksese të mëtejme, jo vetëm në standardet prioritare, por edhe në standarde të tjera. Ne jemi të përgatitur që në mesin e vitit 2005, të dëshmojmë rezultate të pritura në standardet dhe veçanërisht në ato që janë prioritare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, si e shihni ju rolin e UNMIK-ut pas zgjedhjeve të tetorit?

RAMUSH HARADINAJ
Mendimi im dhe i Aleancës është që UNMIK-u në Kosovë është në fazën e shpenzimit të rolit të vet. Kjo është një detyrë e përbashkët e jona (e vendorëve), por edhe e UNMIK-ut, që të gjitha përgjegjësitë qeverisëse dhe përgjegjësitë e tjera që janë vepruese në Kosovë, duhet të kalojnë tek vendorët. Mendoj se cak i gjithë neve duhet të jetë që në mesin e vitit 2005, UNMIK të ketë vetëm një rol simbolik dhe qeverisja e Kosovës të bëhet nga vendorët. Është gabim i madh në rast se kushdo qoftë nga qeveritë apo nga diplomatët, por mund të them edhe nga zyrtarët e UNMIK-ut, të synojnë të rikthejnë autoritetin e UNMIK-ut, apo ta bëjnë UNMIK-un funksional. Mendoj se shërbimi më i mirë që mud t'i bëhet UNMIK-ut dhe që mund t'i bëhet angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë është vetë shpenzimi i UNMIK-ut, sepse kjo do të rezultojë me sukses të përbashkët që angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë periudhë të sjellë momentin që Kosovë të mund të qeveriset nga vendorët pra nga kosovarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, cili është pozicioni i Aleancës para zgjedhjeve të tetorit të skenën politike të Kosovës dhe çfarë prisni ju nga zgjedhjet?

RAMUSH HARADINAJ
Ne kemi bërë përgatitje serioze, një qasje serioze ndaj vetvetes. Në këto 5 vjet të veprimit tonë si parti politike, në vazhdimësi kemi zhvilluar një proces të debatit të brendshëm për politikat programore. Mund të them se ato tani janë të avancuara. Kemi qenë të mbështetur edhe nga institucione ndërkombëtare, të profilizuara në mbështetje dhe përkrahje të partive politike që janë në hapat e para të zhvillimit. Kemi aplikuar procesin zgjedhor të brendshëm, jemi subjekti i vetëm politik në Kosovë që ka hapur listat dhe kemi organizuar zgjedhjet për kandidatët për zgjedhjet parlamentare, meqënëse sistemi zgjedhor është me lista të mbyllura. Programi ynë zgjedhor i tanishëm është program i ndërtuar në parametrat kosovarë. Ka dy shtyllat kryesore: atë politike, ndërtimin e shtetit dhe jetësimin e vullnetit tonë politik dhe ka ekonominë, që është gjithëpërfshirëse por me parametra real. Ne jemi të bindur se do të marrim besimin e votuesve kosovarë, pra jemi të bindur se do të jemi fitues në këto zgjedhje. Edhe njëherë, duke llogaritur punën që bëjmë dhe në qasjen e deritanishme, edhe të angazhimeve të marra që i kemi patur në institucionet e Kosovës, i lemë të hapura të gjitha opsionet për mënyrën e qeverisjes pas zgjedhjeve.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG