Ndërlidhjet

TODOROVIÇ:"PROCESI I KTHIMIT TË SERBËVE KA DËSHTUAR"


Milorad Todoroviç Koordinator ndërministror për Kthimin në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Todoroviç cilat janë rezultatet e procesit të kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë?

MILORAD TODOROVIÇ
Rezultati i kthimit të të gjithë të ikurve nga Kosova që nga viti 1999, është dëshpërues. Dëshpërues para se gjithash për ata, të cilëve ju është cënuar e drejta për t’u kthyer. Dëshpëruese për strukturat e brendshme, të cilat janë marrë ose duhet të merren më këtë çështje dhe kanë pasur për qëllim që të arrijnë ndonjë rezultat. Do të thoja se është dëshpëruese, para se gjithash, për misionin civil ndërkombëtar UNMIK-un për disa arsye; për shkak se kthimi është e drejtë e rezervuar; për shkak se nga ana e tyre nuk është kuptuar domethënia e kthimit. Kthimi është mënyra se si të bëhet kjo shoqëri - një shoqëri multietnike, multireligjioze dhe multikulturore.
Dhe veçanërisht, për shkak se komuniteti serb në Kosovë është në këtë gjendje që është, ku shumë familje janë të ndara, për shkak se të vjetrit janë këtu, ndërkaq të rinjtë jashtë Kosovës dhe çdo përpjekje e natyrshme për t’u bashkuar, frikësohem se në këto kushte politike dhe sigurie nuk do të ndodhë. Kështu që, nuk ia vlen shumë që të flitet për numrat. Dikujt numrat mund t’i shërbejnë si argument pro et contra, por unë flas për gjendjen shpirtërore të personave të zhvendosur, të cilët presin kot për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët ende nuk kanë vendosur që të dalin në zgjedhjet parlamentare të tetorit. Megjithatë, çka mund të pritet në procesin e kthimit pas zgjedhjeve?

MILORAD TODOROVIÇ
Njerëzit kanë ikur për shkak të konfliktit politik, pastaj atij të armatosur dhe pavarësisht përpjekjeve që të mos depolitizohet procesi i kthimit, ai apriori është politizuar.
Nëse e kemi këtë ndërmend dhe e dimë se zgjedhjet janë një proces politik dhe një kthesë, që shpresoj të jetë një kthesë pozitive në kuptimin e kthimit, atëherë duhet pasur parasysh se komuniteti serb hamendet të dalë ose jo në zgjedhje, do të thoja me të drejtë. Atëherë edhe pritjet janë të ndryshme, varësisht nga ajo se si do të jenë rezultatet e zgjedhjeve. Ajo që unë çdoherë e kam pasur ndërmend dhe që e kam vënë në plan të parë kudo që kam marrë pjesë në diskutimet për procesin e kthimit, është njëfarë lloj lidhje institucionale në të gjitha nivelet, e cila realisht dhe aktivisht do të merrej me kthimin dhe që nuk do të krijonte pengesa të mëdha, apo çfarëdoqoftë pengimi praktik të procesit të kthimit, që tani përfundimisht po ndodh. Mendoj se do të duhet që të krijohej një strukturë vertikale, nga niveli i qeverisë së Kosovës e deri te niveli komunal dhe që vendimi për krijimin e Ministrisë së re për Kthimin dhe të Drejtat e Njeriut, të jetë vetëm një pjesëz në diçka që do të quhej mbrojtje institucionale e komunitetit serb.
Domethënë kjo të bëhet në kontekst të decentralizimit, të barten kompetencat e fushës së kthimit nga bashkësia ndërkombëtare në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse dhe para se gjithash në nivelin lokal. Nëse atje nuk krijohen kushte, mendoj se për kthimin vetëm mund të flaism, por kthim definitivisht nuk do të ketë. Në një kontekst të tillë kjo ministri do të kishte kuptim dhe do t’ia vlenin përpjekjet për ta krijuar, por nëse mbetet vetëm si një vullnet i mirë i politikanëve shqiptarë dhe si gjest i pjesëmarrjes së serbëve në të, ndërkohë që ministria do të kishte të njëjtat pengesa për të funksionuar, mendoj se kjo është jokorrekte dhe nuk do të funksionojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është real formimi i Ministrisë për Kthimin?

MILORAD TODOROVIÇ
Do të ndodhë po qe se liderët politkë shqiptarë do ta kuptojnë nevojën e decentralizimit të pushtetit dhe nevojën për të bartur qeverisjen në nivelin lokal, ku do të ndodhë procesi i kthimit. Përndryshe, nëse këmbëngulet vetëm në krijimin e ministrisë pa decentralizim të pushtetit, mendoj se do t’i humbim edhe disa vite të ardhshme, e komuniteti serb në këtë rast nuk është i gatshëm të lëshojë pe. Jo pse nuk mund të ketë kompromis, por për shkak se kjo do të jetë një periudhë tjetër e humbjes së kohës dhe do të ishte fatale për komunitetin serb, i cili edhe ashtu pas trazirave të marsit është në gjendje katastrofike. Do të thoja se shumë njerëz po bëhen gati për zhvendosje, sepse e kanë humbur shpresën. Nëse dikush nuk është mjaft pragmatik që ta kuptojë momentin e drejtë për këtë hap politik, mendoj se përfundimisht e kemi humbur shansin.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët decentralizimin. Ekziston plani i qeverisë së Kosovës dhe i UNMIK-ut, sikurse edhe plani i qeverisë së Serbisë. UNMIK-u thotë se mund të flitet vetëm për disa pjesë të planit të Beogradit. Cila është zgjidhja më e drejtë sipas jush?

MILORAD TODOROVIÇ
Duke parë pasojat e trazirave të marsit dhe gjithë ato që ne nga Koalicioni “Kthimi” i kemi thënë deri tani, ekspertët e qeverisë së Serbsië kanë vënë në letër një tezë për vetëqeverisje lokale, një autonomi brenda autonomisë dhe këtë e kanë quajtur Projekti për Decentralizimin e Pushtetit në Kosovë.
Ky plan nuk është i mirë pse e ka bërë Beogradi. Kjo është një tezë e gabuar politike, e që para se gjithash është tendencioze. Ai plan është i mirë për shkak se vë në pah problemin real të komunitetit serb në Kosovë dhe që është bërë pas kërkesave legjitime të përfaqësuesve të komunitetit serb, anëtarëve të Koaliacionit "Kthimi". I krijuar nga ekspertë të vjetër plani vë në pah statusin e tanishëm dhe jo të përhershëm dhe është bërë në kuadër të Rezolutës 1244 duke ofruar zgjidhje për problemin e komunitetit serb. Atëherë, kur diçka nuk ecën është politikisht korrekte të pranohet se nuk po ecën. Unë nuk jam i rrezikuar si qytetar i Kosovës. Pas trazirave të marsit është bërë e qartë se unë jam i rrezikuar si pjesëtar i një komuniteti. Atëherë nuk mud ta mohoni tezën se duhet të ndërtohet ky parim etnik në projektin e decentralizimit. Kam marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët në Lucernë, kur një përfaqësues i komunitetit shqiptar të Maqedonisë tha se fshehtësia e suksesit të Marrëveshjes së Ohrit qëndron në atë se në vetvete ka të ndërtuar edhe parimin etnik. Maqedonia Perëndimore është shembulli ynë, nëse formula është e sukseshme atje. Lexojeni në mes të rreshtave se atje garantohen të drejtat e komunitetit shqiptar, nuk e di pse do të ishte problem që si parim të sillet edhe këtu në Kosovë. Kështu që, nëse jemi politikisht korrekt, nëse kemi qëllime të mira, nëse shikojmë përpara, nëse duam që të ulen tensionet, atëherë është gjithshka në rregull që të pranohen kërksat legjitime të komunitetit serb dhe në këtë mënyrë para se gjithash, të mbrohemi sepse po rrezikohemi si komunitet dhe jo si qytetarë të Kosovës.
Kështu na duhet të kalojmë edhe disa faza për të ardhur në një shkallë ku qytetarët e Kosovës janë të barabartë.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG