Ndërlidhjet

UNMIK-u I NDËRPRET LEJEN E PUNËS UNIVERSITETIT SERB NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Emërimi i Radivoje Papoviçit në postin e rektorit të Universitetit të Mitrovicës nga qeveria e Serbisë, i ka kushtuar këtij universiteti në gjuhën serbe me ndërprerje të akreditimit nga UNMIK-u, ndërkohë që Ministri i Arsimit i Kosovës ka kërkuar nga UNMIK-u masa praktike për eliminimin e strukturave paralele në arsimin e Kosovës.
Në të vërtetë, UNMIK-u e ka kundërshtuar dhe e ka quajtur të paligjshme zgjedhjen e Papoviçit, në postin e rektorit të këtij universiteti, tha zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke:
"Kjo zgjedhje nuk është mbështetur në asnjërin nga ligjet e zbatueshme në Kosovë. Në fakt, është në kundërshtim me ligjin e Kosovës," tha Mechtilde Henneke, për të shtuar se UNMIK-u e ka bërë të qartë qëndrimin e tij lidhur me këtë proces, dhe ia ka tërhequr vërejtjen Beogradit se ky është një vendim ilegal.
Këtë qëndrim të UNMIK-ut e ka përkrahur Ministri i Arsimit i Kosovës Rexhep Osmani, i cili në një prononcim për Evropën e Lirë, tha se ministria kishte kundërshtuar që në fillim themelimin e një universiteti të tillë:
"Vlerësimi ynë ishte se ky universitet është universitet politik dhe shumë shpejt u dëshmua se me emërimin e Papoviçit, qeveria e Serbisë dëshiron ta politizojë deri në skajshmëri Universitetin e Mitrovicës. Prandaj, vendimi i UNMIK-ut është i drejtë, dhe UNMIK-u jo vetëm që duhet ta shprehë mospajtimin me këtë, por duhet të marrë masa praktike për eleminimin e strukturave paralele në arsim e ne veçanti në Universitetin e Mitrovicës."
Radivoje Papoviç, ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Milosheviçit, kur edhe u përzunë nga universiteti profesorët dhe studentët shqiptarë. Papoviç, i cili sot ka refuzuar të flasë për këtë çështje është emëruar nga qeveria e Serbisë në vend të rektorit të deritanishëm, Gojko Saviç. Ky i fundit tha se çshtja duhet të zgjidhet tani ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë së Serbisë, pasi sipas tij kjo zgjedhje është ilegale sipas ligjeve të Kosovës, por është legale sipas ligjeve të Serbisë. Sidoqoftë, Saviç tha se kjo zgjedhje e ka dëmtuar universitetin dhe vetë studentët:
"Dëmet janë sigurisht të mëdha, pasi ne na janë dashur tre vjet për të realizuar atë që kemi arritur, ndërsa tani me një lëvizje janë asgjesuar të gjitha këto," tha Saviç, ndërkohë që UNMIK-u tashmë i ka ndërprerë akreditimin këtij universiteti, tha Henneke:
"UNMIK-u nuk e ka vazhduar akreditimin e Universitetit të Mitrovicës që ka skaduar në gusht dhe për këtë ka njoftuar Universitetin në Mitrovicë dhe do të njoftohet edhe asociacioni i Universiteteteve të Evropës dhe zyra e Hollandës që aktualisht kryeson Bashkimin Evropian," tha zëdhënësja Henneke.
Ministri Osmani, lidhur me këtë kërkoi që Universiteti i Mitrovicës t’i në nënshtrohet autoritetit të institucioneve të Kosovës:
"Kemi kërkuar nga UNMIK-u që ta ndërpresë akreditimin dhe UNMIK-u e ka bërë këtë. Universiteti i Mitrovicës duhet ta pranojë autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit dhe ne kërkojmë që të bëhet integrimi, por me një status të ri, për të cilin do ta japë pëlqimin Ministria e Arsimit dhe ajo të përcaktojë kriteret, strukturën dhe përbërjen e këtij universiteti dhe jo qeveria e Beogradit dhe Beogradi."
Çështja e akreditimit të Universitetit të Mitrovicës ka qenë problematike për shkak të kundërshtimit të qeverisë së Kosovës, ndërkohë që më pas një panel i veçantë pati vendosur për këtë çështje. Mirëpo, edhe më 15 qershor të këtij viti, zëvendëskryeadministratori i UNMIK-ut Charles Brayshow i pati tërhequr vërejtjen Beogradit se emërimi i rektorit nga Beogradi është çështje e paligjshme, gjë që Beogradi nuk e ka përfillur:
"Në të vërtetë, kryeministri Koshtunica nuk është përgjigjur, por në vend të tij është përgjigjur Ministri i Arsimit i Serbisë, Çoliç, i cili nuk është pajtuar që të shqyrtojë shqetësimet e UNMIK-ut," tha zëdhënësja Henneke.







XS
SM
MD
LG