Ndërlidhjet

PETERSEN DHE REXHEPI PO ZHVILLOJNË BISEDIME NË BRUKSEL


Augustin Palokaj, Bruksel

Kosova po afron t'u afrohet standardeve evropiane përmes mekanizmave përcjellës së Asociim-Stabilizimit, në kuadër të së cilave sot në Bruksel po zhvillohet takimi mes përfaqësuesve të Komisionit Evropian, qeverisë së Kosovës dhe administratës së UNMIK-ut. Siç tha para gazetarëve në Bruksel drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian Rejhard Priebe, ky takim ka aspekt teknik në të cilin po bisedohet në mënyrë substanciale për çështjet thelbësore për afrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për adaptimin e standardeve evropiane. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, po ashtu shprehu kënaqësinë e tij me rrjedhën e takimit, duke thënë se ekonomia, statistikat dhe ruajtja e mjedisit kanë qenë sot temat kryesore, ndërsa është biseduar edhe për planin e partneritetit evropian për Kosovën në kuadër të agjendës së Selanikut. Për këtë arsye në delegacionin e Kosovës kanë qenë edhe ministrat përkatës. Rexhepi është shprehur se ky takim është edhe një përvojë e mirë për institucionet e Kosovës, të cilat janë të vendosura të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Në takim ka marrë pjesë edhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen. Ai tha se elementi kryesor që i shtyn popujt dhe vendet e rajonit të Ballkanit larg konfliktit, është perspektiva evropiane që vlen për Kosovën. Petersen u shpreh se ky takim vjen në një kohë të rëndësishme në prag të zgjedhjeve dhe pret që pas zgjedhjeve Kosova të ketë një parlament dhe një qeveri, gjatë mandatit të së cilave do të bëhet evaluimi i standardeve, që do të çojnë drejt diskutimeve për statusin përfundimtar, në 12-18 muajt e ardhshëm. Petersen tha se në Kosovë të gjithë tani janë duke u përqëndruar në plotësimin e standardeve prioritare, ndër të cilat përmendi rendin dhe ligjin, respektimin e pakicave, sigurinë e lëvizjes dhe decentralizimin. Ai shpreson se vlerësimi i përmbushjes së standardeve në mesin e vitit 2005, do të jetë pozitiv dhe do të pasohet më vonë me nisjen e diskutimeve për statusin përfundimtar. Një pjesë e madhe e diskutimeve sot në Bruksel u është kushtuar edhe ekonomisë që shihet si problem serioz në Kosovë nga ana e Komisionit Evropian. Petersen sot ka patur edhe takime të veçanta me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Scheffer. Shefi i UNMIK-ut është takuar edhe më herët me shefin e BE-së për Politikë të Jashtme Kristofer Paten. Në këto takime është biseduar për domosdoshmërinë që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit. Petersen ka përsëritur se për vetë këta serbë, është me rëndësi të jenë në institucionet demokratike të Kosovës, në mënyrë që ata të marrin pjesë në dialogun për të ardhmen e saj. Lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, ka folur sot edhe kryeministri Rexhepi. Ai ka shprehur dëshirën e qeverisë së tij që edhe serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do t'u japë një legjitimitet edhe më të madh atyre. Por edhe pa pjesëmarrjen e serbëve, zgjedhjet do të jenë legjitime, ka thënë Rexhepi. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Petersen tërhoqi sot vërejtjen se çështja e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe decentralizimi nuk janë të lidhura, edhe pse ai e kupton se decentralizimi është një proces mjaft i rëndësishëm për serbët e Kosovës.



XS
SM
MD
LG