Ndërlidhjet

M.KRASNIQI: PLANI SERB PËR DECENTRALIZIMIN SYNON KRIJIMIN E KANTONEVE ETNIKE


Mark Krasniqi, Kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi plani për decentralizimin e pushtetit edhe me tej vazhdon të jetë temë qendrore në Kosovë. Ndërkohë, serbët e Kosovës edhe më tej insistojnë që pjesë të planit serb për decentralizimin të përfshihen në dokumentin për decentralizim të qeverisë dhe të UNMIK-ut. Si i shihni ju këto zhvillime?

MARK KRASNIQI
Decentralizimi po merr forma të ndryshme të shprehjes, të paktën apo të emrit. Kurse, në realitet serbët kërkojnë që të krijojnë në enklavat e tyre etnike një lloj kantonesh. Kjo është tërësisht e papranueshme. Unë e kuptoj se decentralizimi në Kosovë duhet të bëhet patjetër. E kuptoj si dhënie të pushtetit më të madh komunave. Në këtë mënyrë edhe serbëve, të cilët i kanë disa komuna të tyre, domethënë shumica sië janë në Shtërpcë, Zubin Potok e vende të tjera-aty mund ta gjejnë decentralizimin si thonë ata ose enklavat, siç kanë qejf më tepër t’i thonë.
Kështu që nuk ka nevojë për kurrfarë decentralizimi tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se decentralizimi duhet të ndodhë, por në rast se zyrtarët e UNMIK-ut, siç kanë thënë edhe vetë, pranojnë të diskutojnë disa pjesë të planit serb për decentralizimin, cilat do të duhej të ishin reagimet e institucioneve të Kosovës?

MARK KRASNIQI
Institucionet e Kosovës duhet t’i përmbahen asaj që gjithmonë shkon drejt pavarësisë së Kosovës. Kurrfarë decentralizimi ose kurrfarë masash të tjera që e pengojnë këtë të drejtë tonën nuk duhet të merren parasysh. Unë thashë decentralizimi duhet të jetë, por jo në baza etnike, as fetare, as rajonale, por në baza administrative të komunave, të cilat ekzistojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët nuk kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje, pikërisht duke kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me pranimin e planit serb të decentralizimit. Sipas jush sa do të ndikojë mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje në proceset në Kosovës, kur dihet se vitin e ardhshëm mund të hapen edhe diskutimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar?

MARK KRASNIQI
Serbët janë tejet të favorizuar dhe u jepen 10 vende në parlament pa kurrfarë meritash të tyre dhe pastaj edhe vendet të cilat i marrin sipas votimeve. Ata janë tejmase të favorizuar, kështu që bile edhe minoritetet tjera reagojnë dhe kanë të drejtë të reagojnë, se nuk janë këtu vetëm serbët minoritet- ka turq, boshnjakë, ashkalinj, kështu që edhe ata duhet t’i kenë të drejtat e tyre. Bile disa janë në përmasa më të mëdha se serbët në Kosovë, siç janë për shembull boshnjakët. Por, është realitet se serbët edhe me këto privilegje që kanë, nuk marrin pjesë në seancat e parlamentit dhe përpiqen me çdo kusht t’i pengojnë institucionet tona. Edhe nëse nuk marrin pjesë në votime ajo është në dëm të tyre dhe ata duhet të mendojnë për vete.
Ne do të ecim përpara dhe do t’i mbajmë institucionet tona ashtu si duhet dhe si e kërkon demokracia e Evropës Perëndimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, pas tre ditësh fillon fushata zgjedhore. Çfarë pritni ju pas zgjedhjeve të ardhshme dhe nëse do të kishit më shumë përfaqësues në parlament, çfarë do të ndryshonit?

MARK KRASNIQI
Ne presim që në këtë fushatë do të dalim më mirë të organizuar sesa në fushatat e deritanishme. Jemi duke krijuar degë të reja nëpër disa vise, ku nuk i kemi patur sa duhet e si duhet, kështu që do të dalim më të fortë sesa kemi qenë deri tani. Ne presim që në parlament t’i marrim disa vende, por po them presim e nuk e di si do të jetë realiteti. Askush nuk e di, sepse votuesit duhet të jenë krejtësisht të lirë t’ia japin votën e lirë vetëm atyre që u duken më të ndershëm, se janë më kombëtarë, e se ia duan të mirën Kosovës. Ndërkaq, kurrfarë dhune e kërcënimi nuk duhet ta marrin parasysh. Bile nëse ndodh ndonjë rast i dhunës së tillë edhe nga partia ime, duhet të lajmërohen organet e pushtetit ndërkombëtar e vendor.
Kështu që të merren masa ndaj atyre njerëzve që duan të na trazojën jetën politike dhe duan që të na paraqesin se nuk jemi ende te pjekur për të qeverisur vetveten.
Nëse marrim pjesë me një numër më të madh në parlament, ne do të insistojmë që të ndryshohen aktet që po e pengojnë pavarësinë. Para se gjithash duhet të bëhet kushtetuta e re, sepse Kornizës së Përkohshme Kushtetuese i ka kaluar koha, kështu që ne duhet të përpiqemi që sa më parë të shpallet pavarësia, nëse duhet të shpallet, sepse ajo është shpallur më 1991, por ne mund ta shpallim çdo muaj nëse e kërkon këtë faktori ndërkombëtar në mënyrë që të realizohet sa më shpejt e drejta jonë që të jemi të pavarur dhe ta sundojmë veten në shtëpinë tonë.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG