Ndërlidhjet

QEVERIA, BSPK-JA DHE OEK-U NËNSHKRUAN KONTRATËN KOLEKTIVE


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Pas punës njëvjeçare për përpunimin e kontratës kolektive, qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Oda Ekonomike e Kosovës, sot në mënyrë solemne kanë nënshkruar këtë akt. Nënshkrimi i kontratës kolektive është një akt juridik, formal, i cili rregullon raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kryeministri Bajram Rexhepi nënshkrimin e kësaj kontrate e ka vlerësuar si moment shumë të rëndësishëm, por ai ka kërkuar që kontrata e nënshkruar të respektohet dhe të zbatohet në të
gjitha institucionet e Kosovës.
"Tani të gjithë e kanë kuptuar edhe momentin politik, në të cilin gjendet Kosova, sidomos që mos të kemi trazira sociale në këtë kohë kur hymë në zgjedhjet e katërta, gjegjësisht të dytat parlamentare, ku Kosova gjendet para sfidave të mëdha tepër të rëndësishme. Pjekuria që kanë treguar sindikata, por edhe të gjithë qytetarët, neve na inkurajon se me forca të përbashkëta do t'i realizojmë synimet tona të përbashkëta."
Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale Ahmet Isufi, tha se ky është një sukses për të gjithë qytetarët, e sidomos për, siç tha ai, avancimin e pozitës së Kosovës.
"Konsideroj se këshilli konsultativ tre palësh do të avancohet edhe më tutje në krijimin e një pakti social në Kosovë, i cili është shumë i nevojshëm për qytetarët tanë. Duhet të theksoj se neve na duhet për shkak të specifikave, të gjithë të kuptojmë gjendjen e njëjtë në Kosovë, të jemi partnerë në ato që janë synimet tona dhe kështu të realizojmë atë që është objektiv i popullit tonë, shtetin e Kosovës".
Bahri Shabani, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës shpreson se zbatimi i kësaj kontrate të bëhet nen për nen.
"Puna e mirë e Këshillit konsultativ dhe përfshirja e qeverisë dhe kryeministrisë na bëri të mundur që të nënshkruajmë këtë Kontratë Kolektive, që në Kosovë për herë të parë rregullon dhe qartëson pozitën në mes punëtorit dhe punëdhënësit dhe krijon disa kushte dhe benificione, jo vetëm për punëtorët, por mendoj se kjo rregullore i shërben edhe investimeve për të ardhmen e Kosovës"
Ndërkaq, Ismajl Kastrati kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se nënshkrimi i kontratës kolektive mundëson një zhvillim më të mirë ekonomik për Kosovën.
"Sot me arritjen e marrëveshjes dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive, kemi kontribuar që të japim një kornizë të përgjithshme juridike, që të japim një kontribut në krijim e shtetit të së drejtës, e para se gjithash të krijojmë një ambjent më të përshtatshën për zhvillimin ekonomik, të investimeve dhe krijimin e raporteve punëdhënës-punënmarrës."
Ndryshe, mosnënshkrimi i deritanishëm i kontratave kolektive, ka qenë edhe një prej arsyeve që në vitet e kaluara janë organizuar greva të përgjithshme, posaçërisht nëpër shkollat fillore dhe të mesme. Pengesat që kanë zvarritur nënshkrimin kanë pasur të bëjnë me pushimin e lehonisë dhe keqkuptimet mbi njohjen e stazhit të punës gjatë viteve të 90'ta, kur shumica e punëtorëve kosovarë u larguan dhunshëm prej vendeve të tyre të punës nga regjimi i atëhershëm serb. Sidoqoftë, zbatimi i kontratave kolektive fillon në janar të vitit të ardhshëm.


XS
SM
MD
LG