Ndërlidhjet

logo-print

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KB-së U TAKUA ME GRUPIN E KONTAKTIT PËR KOSOVËN


Robert McMahon, Nju Jork Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, mbrëmë vonë, i ka informuar zyrtarët e Grupit të Kontaktit dhe liderët e tjerë rajonalë për mundësinë e përshtatjes së planit të Kombeve të Bashkuara për reforma në Kosovë, që njihet si "standardet para statusit".

Në takimin e grupit të kontaktit me sekretarin e përgjithshëm Kofi Annan, morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë, të Rusisë, të Francës, të Rumanisë dhe të Italisë si dhe një diplomat i lartë i Shteteve të Bashkuara. Në këtë mbledhje, zoti Annan paraqiti rekomandimet e një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara për statusin final të Kosovës. Njëri nga pjesëmarrësit e këtij takimi, ministri i jashtëm i Rumanisë, Mircea Geoana, i deklaroi radios Evropa e Lirë se në këtë mbledhje është theksuar nevoja që komuniteti ndërkombëtar të bëjë më tepër për përgatitjet për shqyrtimin e statusit të Kosovës aty nga mesi i vitit të ardhshëm. Në këtë aspekt, Mircea Geoana tha:

- Ne nuk mund vetëm të qëndrojmë jo aktivë dhe të presim që të kalojë kohë e pastaj, eventualisht, të vendosim për çështje të ndryshme. Prandaj, biseda ishte e përqendruar në procesin e decentralizimit dhe transferin e kompetencave brenda Kosovës.

Ai mëtutje u shprehë se në këtë takim është diskutuar edhe inkurajimi i serbëve dhe i minoriteteve të tjera për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe për mbajtjen e lidhjeve ndërmjet procesit paqësor në Kosovë dhe angazhimit të Bashkimit Evropian me Serbinë dhe Malin e Zi.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen–Petersen dhe diploamti norvegjez, Kai Eide, të cilin sekretari i përgjithshëm, Kofi Annan e kishte angazhuar për ti studjuar problemet në Kosovë pas shpërthimit të dhunës në mars të këtij viti. Në rekomandimet e diplomatiti Kai Eide përfshihet përshpejtimi i transferit të autoritetetit te zyrtarët lokalë shqiptarë të Kosovës dhe shtyrja përpara e diskutimeve për statusin e ardhshëm. Ministri i jashtëm i Rumanisë, Mircea Geoana tha se mbesin dallime ndërmjet anëtarëve të Grupit të Kontaktit lidhur me përshtatjen e procesit "standardet para statusit". Ky proces, që tash është subjekt i rishikimeve, përmban një varg standardesh që kosovarët duhet ti plotësojnë para se të hapet çështja e statusit. Në këtë kuadër zoti Geoana, mëtutje, thotë:

- Ka disa zëra që thonë se ne do të duhej të presim dhe ta shohim rishqyrtimin, rivlerësimin e përgjithshëm të standardeve, para se të hapet çfarëdo diskutimi lidhur me statusin… Por, të tjerët thonë, me një logjikë, se ne do të duhej të bëjmë presion për standarde dhe të kemi këtë kalim të transferit dhe këtë decentralizim, kështu që i gjithë procesi do të funksiononte.

Anëtarët evropianë të Grupit të Kontaktit, si për shembull, Britania kanë shprehur mbështetje për përshpejtimin e transferit të më tepër kompetencave te shqiptarët e Kosovës në fushat siç është ekonomia. Por Rusia ka ftuar për shtyrjen e afatit për rishqyrtimin e standardeve edhe pas mesit të vitit të ardhshëm. Rusia poashtu mbështet planin e Beogradit për ndarjen e Kosovës në kantone. Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer ka përsëritur domosdonë e standardeve demokratike për ta qartësuar statusin e Kosovës. Siç informon agjencia DPA, zoti Fischer është shprehur se çfarëdo diskutimi për Kosovën, në fund të fundit, varet nga arritja e standardeve demokratike.

Takimi i mbrëmshëm nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje formale ose deklaratë për të lëvizur përpara në Kosovë. Por zoti Geoana thotë se është afirmuar mbështetja për përpjekjet e Kofi Annanit për rishqyrtimin e procesit politik:

-Do të thoja se ishte një ndjenjë e mbështetjes për këtë riangazhim të sekretarit të përgjithshëm në proces dhe ai do ta ketë tërë përkrahjen tonë në ecjen përpara.

Disa përfaqësues të shteteve anëtare, kanë thënë se ata presin që në tubimet aktuale në Kombet e Bashkuara çështja e Kosovës do të jetë në qendër të vemendjes së bashku me shqetësimet e tjera kryesore, siç janë terrorizmi, situata në Irak dhe reformat në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Sigurimit. Një takim tjetër i lartë i Grupit të Kontaktit për Kosovën është paraparë për të mërkurën në Nju Jork në misionin e Gjermanisë në Kombet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG