Ndërlidhjet

PASTRIMI I PARAVE PËRBËN KËRCËNIM GLOBAL


Albana Isufi, Prishtinë



Gjatë 5 viteve të administrimit ndërkombëtar, Shtylla e Parë e UNMIK-ut për Drejtësi dhe Polici, nuk ka regjistruar asnjë rast të pastrimit të parave në Kosovë.
Zyrtarët e kësaj shtylle nuk e përjashtojnë mundësinë e rasteve ku edhe në bankat kosovare janë pastruar paratë, por kjo nuk ka mundur të vërtetohet dhe të merren masa, pasi deri në shkurt të këtij viti ka munguar rregullorja përkatëse për pengimin e pastrimit të parave.
Ndërkohë, ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë në një “Seminar për pengimin e pastrimit të parave” mbajtur në Prishtinë, e kanë quajtur pastrimin e parave aktivitetin më kërcënues global, në sajë të të cilit zhvillohet krimi i organizuar, trafikimi i drogës, prostitucioni e deri financimi i terrorizmit.
Një përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, Paul Byron thotë se pastrimi i parave sjell jostabilitet në çdo vend.
“Pastrimi i parave ka të bëjë me përfitimin e pasurisë nga aktivitetet ilegale dhe përpjekjet që këto përfitime të vendosen në sistemet bankare, në atë mënyrë që të fshihet origjina e parave apo edhe të vazhdohet aktiviteti kriminal duke e përdorur sistemin financiar”, thotë Byron duke shtuar se pastrimi i parave sjell jostabiliet në të gjitha rajonet, qofshin ato vende të zhvilluara, ose vende në zhvillim.
“Kërcënimi është i njëjtë si në një vend të zhvilluar si në atë që po zhvillohet, domethënë paratë e pista gjejnë mënyrën që të hyjnë në ekonominë, e cila nuk pengon pastrimin e parave me ligj. Kur hyjnë paratë e pista në një vend, në një periudhë të shkurtër mund të ketë rritje ekonomike që mund të shihet si pozitive, por me kalimin e kohës ato para do të ndikojnë me mënyra të tjera, do të zhduken shpejt, do të ketë jostabilitet, do të çojnë në korrupsion publik, kështu që në rastin e Kosovës, nëse pengohet tani, kur ekonomia është në zhvillim, është shumë më e rëndësishme, sesa në vendet e zhvilluara”, thotë Byron.
Shefi i Shtyllës së Parë për Drejtësi i UNMIK-ut Jean Kristian Cady, thotë se për të luftuar pastrimin e parave duhen kuptuar veprimet e personave që merren më këtë aktivitet ilegal.
“Si ta luftojmë këtë pastrim? E luftojmë duke e bërë lëvizjen e parave më të dukshme. Dhe më këtë arrijmë që të dimë burimin e parave, si dhe pronarin e vërtetë të tyre. Duke e bërë këtë ne godasim thelbin e veprimeve të krimit të organizuar”, tha Cady, duke shtuar se shqetësimi tjetër që është i lidhur me pastrimin e parave është korrupsioni, por edhe terrorizmi, pasi sipas tij paratë e pista përdoren për të financuar këto aktivitete.
Jean Kristian Cady thotë se shpallja e rregullores 2004 \2 për pengimin e pastrimit të parave, është qenësore për të penguar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Rregullorja në fjalë imponon një numër obligimesh statutore për bankat dhe institucionet e tjera financiare si të verifikojnë identitetin e klientit, si të ruajnë dokumentet e duhura dhe të lajmërojnë autoritetet, nëse dyshojnë se në bankat e tyre po kryhet pastrimi i parave.
UNMIK-u ka themeluar këtë muaj edhe një Qendër për Informimin Fianciar, e cila në bashkëpunim me simotrat e saj në rajon gjurmon për veprime te paligjshme të pastrimit të parave brenda dhe jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG