Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET E KOSOVËS MIRËPRESIN KËRKESAT E MBLEDHJES NË NJU JORK


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bartja e kompetencave do të ishte gjeneratori i përshpejtimit të përmbushjes së standardeve, kanë thënë zyrtarë të qeverisë së Kosovës, duke komentuar diskutimet e mbledhjes së djeshme të Grupit të Kontaktit në Nju Jork, e cila është fokusuar në çështjen e bartjes së kompetencave tek autoritetet vendore. Ndërkohë UNMIK-u ndodhet në procesin e formulimit lidhur me këtë proces, thanë zyrtarë të UNMIK-ut, duke pohuar se kjo çështje mbetet prioritare në agjendën e kryeadministratorit Jessen Petersen.
Zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari-Lila, tha se është e rëndësishme që Grupi i Kontaktit ka përmendur bartjen e kompetencave sidomos në fushën e ekonomisë:
"Qeveria kohë më parë ka kërkuar një bartje të kompetencave në mënyrë më dinamike dhe një bartje që do ta fuqizonte qeverinë e Kosovës për vendimet e drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me situatën ekonomike."
Kjo, tha zonja Kusari-Lila, do ta ndihmonte përmbushjen e standardeve, pasi do të kishim një palë institucione që do të kishin përgjegjësi më të madhe për përmbushjen e standardeve.
Zyrtarë të UNMIK-ut ndërkaq, vlerësojnë se bartja e kompetencave është në krye të agjendës së kryeadministratorit Jessen Petersen, mirëpo ende duhet kohë që UNMIK-u ta formulojë pozicionin e tij:
"Aktualisht ne jemi në procesin e formulimit të pozicionit tonë, që do të thotë se zyrtarët e lartë duhet të takohen dhe të japin kontributin e tyre në fushat përkatëse," tha zëdhënësja Mechtilde Henneke.
Sipas saj aktualisht procesi i kontaktit me kryeministrin e Kosovës për identifikimin e fushave për bartje kompetencash ende nuk ka filluar, mirëpo pas kthimit të zotit Jessen Petersen nga Nju Jorku, sigurisht se do të fillojë finalizimi i qëndrimit të UNMIK-ut.
"Hapi i ardhshëm mendoj se duhet të jetë fillimi i diskutimeve me qeverinë," tha zëdhënësja Henneke, ndërkohë që përfaqësuesit e koalicionit të serbëve "Kthimi" e kanë kundërshtuar qëndrimin e Grupit të Kontaktit për zgjerimin e bartjes së kompetencave:
"Nuk përputhet në asnjë mënyrë bartja e kompetencave tek institucionet e Kosovës dhe në të njëjtën kohë serbët të ftohen të marrin pjesë në zgjedhje," tha Gojko Saviç, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga koalicioni Kthimi, sipas të cilit njëra me tjetrën nuk shkojnë në asnjë mënyrë. Saviç mendon se bartja e kompetencave tek institucionet e Kosovës nuk do ta përmirësonte gjendjen e serbëve:
"Mendoj se shoqëria kosovare nuk është aq e pjekur që kompetencat e marra t’i shfrytëzojë në kuptim pozitiv," tha Saviç.
Në anën tjetër, zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari-Lila, tha se bartja e kompetencave do ta bënte Kosovën që më shpejt të jetë e gatshme për fillimin e statusit final, shtyrja e të cilit mund të shkaktojë destabilizim në Kosovë dhe rajon:
"Shtyrja e statusit final të Kosovës vetëm sa mund të krijojë probleme për Kosovën dhe për rajonin, ndërsa hapja e diskutimeve për statusin final në mesin e vitit 2005 është kohë për të cilën ne përgatitemi dhe përpjekjet për të përmbushur standardet janë përqendruar pikërisht për këtë arsye, pasi mesi i vitit 2005 pritet të jetë edhe viti për fillimin e statusit final të Kosovës".
Institucionet e Kosovës disa herë e kanë përsëritur gadishmërinë e tyre për të marrë kompetenca shtesë nga kapitulli i të drejtave të rezervuara dhe qeveria e Kosovës tashmë e ka një listë të fushave prioritare ku do të duhej bërë kjo bartje.

XS
SM
MD
LG