Ndërlidhjet

NJU JORK


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, mbrëmë vonë, i ka informuar zyrtarët e Grupit të Kontaktit dhe liderët e tjerë rajonal për mundësinë e përshtatjes së planit të Kombeve të Bashkuara për reforma në Kosovë, që njihet si "standardet para statusit". Njëri nga pjesëmarrësit e këtij takimi, ministri i jashtëm i Rumanisë, Mircea Geoana, i deklaroi radios Evropa e Lirë se në këtë mbledhje ishte një ndjenjë se nga aktorët rajonal kërkohet më tepër aksion për rishqyrtimin e planifikuar të statusit të Kosovës aty nga mesi i vitit të ardhshëm. Geoana më tej tha: nuk mund vetëm të qëndrojmë joaktivë dhe të presim që të kalojë kohë e pastaj, eventualisht, të vendosim për çështje të ndryshme. Prandaj, biseda e sotme ishte e përqendruar në procesin e decentralizimit dhe transferin e kompetencave brenda Kosovës. Ai më tutje tha se në këtë takim është diskutuar inkurajimi i serbëve dhe minoriteteve të tjera për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe mbajtjen e lidhjeve ndërmjet procesit paqësor në Kosovë dhe angazhimit të Bashkimit Evropian me Serbinë e Malin e Zi. Siç njofton më tutje korrespodenti i radios "Evropa e Lirë" në Nju Jork Robert Mcmahon, në takimin me Grupin e Kontaktit sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara,Kofi Annan i ka paraqitur disa nga rekomandimet e bëra nga diplomati norvegjez, Kai Aide, në raportin e tij pas dhunës së marsit në Kosovë. Në këto rekomandime përfshihet përshpejtimi i transferit të autoritetit te zyrtarët lokalë shqipëtarë të Kosovës dhe shtyerja përpara e diskutimeve për statusin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG