Ndërlidhjet

HARADINAJ: PAVARËSI NË PËRPUTHJE ME STANDARDET EVROPIANE


Albana Isufi, Prishtinë



Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur fushatën e saj me premtimin se pavarësia e Kosovës pas zgjedhjeve duhet të bëhet realitet.
Kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca nuk është për çfarëdo pavarësie, por për një pavarësi, siç ka thënë ai, të ndërtuar me “duar të pastra” dhe që është në përputhje me standardet evropiane.
“Ne nuk e përdorim opiumin e fjalës pavarësi vetëm kur na nevojiten votat. Ne punojmë çdo ditë për të. Jemi për pavarësi të përditshme, e jo për pavarësi në porcione dhe vetëm në ciklet elektorale”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se ndërtimi i shtetit të Kosovës, zgjidhja e problemit të papunësisë dhe dekriminalizimi i shoqërisë kosovare mbeten synime strategjike të Aleancës.
“Pra ne synojmë Kosovën shtet funksional me qytetarin si vendimmarrës e jo si makinë votuese, por gjithashtu një Kosovë- evroatlantike, e cila do të qeveriset nga një qeveri e përgjegjshme, llogaridhënëse dhe gjithnjë e ndërrueshme. Në Kosovën që ne duam të ndërtojmë nuk do të ketë të pazëvendësueshëm e as persona që janë mbi ligjin”, tha Haradinaj.
Ramush Haradinaj ka paraqitur edhe rrugët se si do të arrihen këto synime strategjike:
“Rreth statusit- me ofertën e qartë bërë bashkësisë ndërkombëtare për sovranitet shtetëror duke u dëshmuar se jemi të aftë të vetëqeverisim vendin dhe veten tonë.
Rreth punësimit – me joshjen e investimeve ekonomike, sidomos atyre të huaja.
Rreth dekriminalizimit të Kosovës- me një sistem të ri arsimor-edukativ dhe një gjyqësi, polici dhe dogana të forta e të pavarura”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së Naim Maloku, ka premtuar se AAK-do të zhvillojë një fushatë të qetë e demokratike.
Ai i ka kushtuar theks të vecantë përmirësimit të sigurisë në Kosovës dhe luftimit të krimit të të gjitha formave.
“Toleranca ndaj krimit, përhapja gjithnjë e më e madhe e drogës dhe e prostitucionit, mosluftimi i korrupsionit dhe krimi i organizuar, moszbardhja e shumë krimeve të ndodhura në këtë periudhë janë tepër shqetësuese për qytetarët dhe më të drejtë dyshojnë për ardhmërinë e qetë dhe të sigurt për ta dhe brezat që vijnë”, tha Naim Maloku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar sot fushatë edhe në tre rajonet më të mëdha të Kosovës.



XS
SM
MD
LG