Ndërlidhjet

DO TË BARTEN KOMPETENCAT QË NUK KANË TË BËJNË ME SOVRANITETIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është në kërkim të identifikimit të fushave për bartjen e kompetencave dhe përgjegjësive tek institucionet vendore. Numri më i madh i përgjegjësive, thuhet se do t’u barten vendorëve, duke përjashtuar këtu vetëm ato fusha, të cilat kanë elemente të sovranitetit. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Jeff Bieley thotë se vendimi për bartje kompetencash mund të pritet ditëve të ardhshme:
“Bisedimet janë duke vazhduar, por ende nuk është marrë ndonjë vendim. Por duhet dihet se kompetencat që do të barten janë ato që nuk kanë elemente të sovranitetit”, tha zëdhënësi Bieley.
Në anën tjetër, zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila thotë se ka një harmoni të plotë dhe me Grupin e Kontaktit për bartjen e përgjegjësive që nuk kanë elemente të sovranitetit. Kjo fazë sipas saj do të zgjatë deri në përcaktimin e statusit të Kosovës, kurse më pas shton ajo, do të shtrohet çështja e bartjes edhe të përgjegjësive që kanë të bëjnë me një vend sovran. Aktualisht ajo vlerëson se ka pajtueshmëri me UNMIK-un për hapjen e Ministrisë së Energjetikës dhe Mineraleve, kurse është dhënë drita e gjelbërt edhe për Ministrinë për Komunitetet dhe Kthimin. Mirëpo, kërkesat e kryeministrit Bajram Rexhepi, sipas Kusarit, kanë të bëjnë dhe me formimin e ministrive të tjera:
“Në të ardhmen mund të diskutohet për formimin e Ministrisë së Rendit apo edhe asaj të Drejtësisë, e cila nuk do të prekte kompetencat ligjvënëse të UNMIK-ut, megjithatë do të koordinonte punën dhe do të rriste efikasitetin e përcjelljes së ligjeve. Ndërsa sa u përket ministrive të tjera ato janë në diskutim e sipër”, tha Kusari.
Të gjitha këto ministri, sipas zëdhënëses së kryeministrit të Kosovës, mund të pritet të hapen gjatë mandatit të qeverisë së ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e sivjetme.
Ndërkohë, zyra ligjore e UNMIK-ut i ka refuzuar amendamentet e Kuvendit të Kosovës të propozuara për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese. Bartja e kompetencave përmes këtyre ndryshimeve, është hedhur poshtë nga UNMIK-u, kështu që ky proces do të realizohet përmes vendimeve ekzekutive të shefit të misionit ndërkombëtar, Soren Jessen Petersen:
"Kuvendi ka bërë një rishikim të tërësishëm të Kornizës Kushtetuese, çka nuk është në kompetencë të tij, kështu që as amendamentet individuale nuk do të merren parasysh nga ana e UNMIK-ut”, ka thënë Bieley. Në bazë të qëndrimit aktual të UNMIK-ut, ndryshimi i Kornizës Kushtetuese duhet të ndjekë procedurat e rregullta duke formuar grup të përbashkët mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve dhe jo duke ofruar pako ndryshimesh të njëanshme.


XS
SM
MD
LG