Ndërlidhjet

JOHNSON: KEMI BËRË PËRPARIM TË MADH NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Votimet e 23 tetorit do të jenë një sprovë për Kosovën dhe qytetarët e saj, që secili prej tyre të dëshmojë se është pjesë e sigurisë dhe ndihet përgjegjës për sigurinë, ka thënë sot në Prishtinë, komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Gregory Johnson, për të shtuar se në aspektin e sigurisë janë bërë shumë përpjekje që serbëve t’u mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës. Këto komente admirali Johnson i ka bërë pas takimeve me presidentin Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi, gjatë vizitës së fundit që në këtë cilësi i ka bërë Kosovës, para daljes së tij në pension në tetor.
Admirali Johnson tha se do të mbetej përgjithmonë i lidhur me Kosovën, pasi këtu ishte arritur një përparim i konsiderueshëm:
"Mendoj se duke ecur së bashku në këtë rrugë, ne kemi bërë përparim të madh. Kur them ne, unë e kam fjalën për dy milionë prej nesh, dhe edhe pse e kemi edhe një copë rruge për ta bërë, jam optimist se do të arrijmë ku duhet," tha admirali Johnson, duke u shprehur i inkurajuar nga fakti se dalëngadalë por në mënyrë të sigurt, siguria po bëhet përgjegjësi e secilit qytetar dhe është mirë që secili qytetar ta ndiejë veten pjesë të kësaj sigurie:
"Një test i mirë për këtë do të jetë 23 tetori, kur do ta kemi mundësinë që të shohin se sa shumë qytetarë do të jenë në gjendje që të marrin pjesë në votime," tha admirali Johnson. Ai tha se KFOR-i ishte treguar i përkushtuar për të siguruar ambjent të sigurt, në mënyrë që serbët të dalin në zgjedhje, por vendimi i tyre nuk varet vetëm nga siguria, por edhe nga arsye politike, për të cilat ai tha se nuk donte të fliste.
Edhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se zgjedhjet gjithëpërfshirëse ishin në interesin e të gjithëve dhe të vetë Kosovës:
"Biseduam për përparimin dhe gjendjen stabël në Kosovë, biseduam për zgjedhjet që duhet të jenë të mira, demokratike dhe të lira dhe që të gjithë të marrin pjesë në to. Po ashtu, biseduam për përparimin që Kosova do ta ketë në të ardhmen dhe ne do punojmë në rrugë ndërkombëtare që të kemi një shtet të pavarur dhe demokratik," tha presidenti Rugova dhe e dekoroi komandantin e krahut jugor të NATO-s admiralin Johnson me medaljen e artë të Lidhjes së Prizrenit.
Ndërkaq, kryeministri Rexhepi e ka falënderuar admiralin Johnson për përkrahjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të Kosovës dhe sidomos pas trazirave të marsit:
"Me ndihmën e tyre ne e kemi më lehtë të bëjmë përparim drejt standardeve siç janë rendi e ligji, siguria, lëvizja e lirë dhe e drejta e pronës dhe të kemi zgjedhje të qeta e demokratike dhe të mos mendojmë për çështjen e sigurisë."
Admirali amerikan Gregory Johnson, i cili sot ka takuar edhe zëvendësshefin e UNMIK-ut Charles Brayshow, e ka vizituar Kosovën shumë herë gjatë tre vjetëve të drejtimit të komandës jugore të NATO-s me seli në Napoli.
XS
SM
MD
LG