Ndërlidhjet

UNMIK: TË MARTËN E ARDHSHME BISEDIME PRISHTINË BEOGRAD NË NIVEL EKSPERTËSH


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertë të qeverisë së Kosovës dhe ekspertë nga Beogradi, priten që të martën e ardhshme të takohen në Vjenë, për të diskutuar planin e decentralizmit të pushtetit qendror në Kosovë.
Këtë gjë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefja e Departamentit për Informim të UNMIK-ut Hua Jiang.
“Atë që mund ta konfirmoj tani është se ne do të marrim pjesë në takim, por detajet e tjera, si agjenda dhe gjërat e tjera janë duke u organizuar nga misioni amerikan në Kosovë”, tha Hua Jiang.
Por, përfaqësues të Zyrës Amerikane në Prishtinë nuk kanë dhënë hollësi lidhur me organizimin e këtij takimi. As zyrtarët e qeverisë së Kosovës nuk e kanë komentuar mbajtjen e një takimi të tillë.
Ndërkohë, diskutimi për decentralizmin ndodh pak ditë pasi Grupi i Kontaktit ka rekomanduar një progres konkret në këtë fushë, duke bërë të qartë se përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit mbështesin dokumentin kornizë për Reformën e pushtetit lokal të qeverisë dhe të UNMIK-ut, por pa përjashtuar mundësinë e elaborimit të mëtejmë të këtij dokumenti.
“E dimë se decentralizimi do të jetë njëra nga temat, madje ndoshta edhe tema kryesore, por sërish nuk mund të jap detaje, pasi ne nuk jemi në pozitë që ta kontrollojmë agjendën, kështu që nuk mund të konfirmoj detajet”, tha Hua Jiang, duke shtuar se nga UNMIK-u në Vjenë do të udhëtojnë përfaqësues të Departamentit politik.
Serbët e Kosovës deri tani e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet parlamentare të 23 tetoritt me përfshirjen e disa pjesëve të planit serb për decentralizimin në dokumentin kornizë për reformën e pushtetit lokal të qeverisë së Kosovës dhe të UNMIK-ut. Institucionet e Kosovës kanë hedhur poshtë vazhdimisht këto propozime. Megjithatë, UNMIK-u, por së fundi edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, kanë bërë të ditur se plani kosovar për decentralizimin mund të pasurohet me pjesë të caktuara të planit të qeverisë serbe.

XS
SM
MD
LG