Ndërlidhjet

SOLANA TAKON PËRFAQËSUESIT E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zgjedhjet e 23 tetorit do të jenë edhe një test i rëndësishëm për Kosovën në procesin e përmbushjes së standardeve, në mënyrë që në mesin e vitit 2005 të mund të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana, pas takimeve me krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe me përfaqësues shqiptarë e serbë të partive politike. Në të gjitha takimet, zoti Solana ka përmendur domosdoshmërinë e zgjedhjeve të qeta dhe zbatimit të rezultateve zgjedhore dhe të standardeve:
"Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe secili duhet të ushtrojë përgjegjësitë e veta dhe standardet duhen përmbushur," tha zoti Solana, ndërkohë që kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se përmbushja e standardeve është detyrë e përditshme e institucioneve të Kosovës:
"Do të jenë edhe ato më prioritaret, ato për integrim në Bashkimin Evropian që nuk janë diçka ekstra për ne, prandaj ne i kuptojmë kështu dhe gjithsesi do të vazhdojmë t’i realizojmë detyrat tona".
Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen tha se zgjedhjet dhe përmbushja e standardeve prioritare çojnë drejt përcaktimit të statusit:
"Me zgjedhjet e ardhshme si test, do të përshpejtojmë përmbushjen e standardeve prioritare dhe nëse bëhet një vlerësim pozitiv, në mesin e vitit 2005 do të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës," tha zoti Jessen Petersen.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se edhe pse përmbushja e standardeve nuk është punë e lehtë, Kosova do t’ia dalë t’i përmbushë ato:
"Ne e dimë se çështja e standardeve prioritare nuk është punë e lehtë, por jemi të përkushtuar ta bëjmë implementimin e tyre në kohën e duhur."
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se zotit Solana i kishte shpjeguar përkushtimin për përmbushjen e standardeve:
"Unë i shpjegova se ne po bëhemi gati, që në mesin e vitit 2005 të shënojmë rezultate në planin për standardet dhe kështu të krijojmë mundësinë për zgjidhjen e statusit final në bazë të vullnetit politik të popullit të Kosovës".
Vetë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Javier Solana tha se pas zgjedhjeve UNMIK-ut i mbetet punë e madhe për bartjen e kompetencave tek institucionet e Kosovës, duke kërkuar me këtë rast seriozitet nga institucionet e Kosovës me rastin e ushtrimit të këtyre përgjegjësive që do të barten. Lidhur me këtë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha:
"Pas zgjedhjeve do të barten shumica e kompetencave që janë të drejta të rezervuara dhe gjithashtu do të ketë edhe ministri të reja dhe do të kemi një qeveri stabile dhe një qeveri të plotë."
Zoti Solana ndërkaq tha se pjekuria e liderëve politikë të Kosovës do të dëshmohet me shpejtësinë, seriozitetin dhe efikasitetin e ndërtimit të institucioneve. Ai ndërkohë u ka bërë thirrje edhe serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje:
"Sinqerisht mendoj se do të merret vendimi më i mirë. E di se ky është vendim i vështirë, por vendimet e vështira janë ndonjëherë vendimet më produktive në histori," tha Solana, pas takimit me përfaqësues të koalicionit të serbëve "Kthimi," të cilët thanë se presin ende vendimin e Beogradit:
"Ne ende jemi duke pritur me shumë inkurajim për një vendim të fortë dhe qartë nga autoritetet e Beogradit dhe shpresoj se do ta kemi një vendim të tillë," tha Oliver Ivanoviç, sipas të cilit problemi kryesor për serbët është mungea e lirisë së lëvizjes dhe ngecja në procesin e kthimit.
Zoti Solana ka thënë se UNMIK-u dhe KFOR-i kanë bërë mjaft përpjekje për të ofruar një ambjent të sigurt që do të mundësonte pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje.





XS
SM
MD
LG