Ndërlidhjet

E.HASANI: VJENA TREGOI TËRË ASHPËRSINË E DALLIMEVE SHQIPTARO –SERBE SA U PËRKET PROBLEMEVE KYÇE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimi i Vjenës jo vetëm që nuk ka përafruar qëndrimet e Kosovës dhe të Serbisë lidhur me decentralizimin, por madje ka treguar tërë ashpërsinë e dallimeve ndërmjet tyre lidhur me këtë çështje, kanë thënë për Evropën e Lirë pjesëmarrës në takimin e Vjenës për decentralizimin të mbajtur dje. Pjesëmarrës nga pala kosovare thanë se dinamika e mëtejshme e këtij procesi tani e tutje vendoset nga politika dhe jo nga ekspertët.
Duke folur për vetë takimin, Enver Hasani, shef i zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, i cili në të mori pjesë si ekspert i qeverisë së Kosovës, tha se me gjithë qëndrimet e ndryshme, është shënuar një qasje pozitive e bisedimeve:
"Unë mendoj se në takimin e Vjenës nuk mund të flitet për përafrim të ndonjë qëndrimi. Takimi i Vjenës ka treguar tërë ashpërsinë e dallimeve shqiptaro-serbe sa u përket problemeve kyçe siç është decentralizimi, por ajo që ka arritur takimi i Vjenës është se një qasje pozitive reciproke dhe një dialogim reciprok që mendoj se nuk është për t’u nënçmuar."
Ndërkaq, koordinatori ndërministror për kthimin në qeverinë e Kosovës, Milorad Todoroviç, gjithashtu pjesëmarrës i takimit tha se Vjena dëshmoi një kualitet të ri, pasi që të dyja palët decentralizimin e pranuan si prioritet:
"Argumentet janë vënë në tavolinë dhe për herë të parë është diskutuar sinqerisht dhe profesionalisht se cilat janë përparësitë dhe cilat janë të metat e secilit prej planeve," tha Todoroviç.
Edhe UNMIK-u është ndarë i kënaqur nga ky takim, tha zëdhënësja Mechtilde Henneke:
"Ne vlerësojmë me kënaqësi se takimi është mbajtur në atmosferë konstruktive dhe positive, ndërkohë që në Prishtinë po zhvillojmë një plan për reformën e pushtetit lokal, i cili është në pajtim me standardet më të larta evropiane," tha zëdhënësja Mechtilde Henneke.
Përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës Enver Hasani, tha se ekspertët e kanë kryer tashmë punën e tyre dhe janë cilësuar si legjitime disa shqetësime të serbëve për sigurinë dhe lëvizjen e lirë, mirëpo për modalitet e përfshirjes së tyre në planin kornizë të Kosovës dhe për dinamikën e procesit do të vendosin nivelet politike:
"Çështjet tani e tutje kalojnë në terrenin politik dhe politika është ajo që vendos për dinamikën e mëtejshme të këtij procesi, domethënë të procesit të decentralizimit", tha zoti Hasani duke besuar se procesi mund të vazhdojë vetëm pas zgjedhjeve të Kosovës.
Ndërkaq, Todoroviç tha se hapi tjetër do të duhej të ishte diskutimi me ekspertët e Beogradit lidhur me dy aspekte të planit, aspektin e sigurisë së serbëve dhe mbrojtjen e bashkësisë serbe në nivelin lokal.
Sidoqoftë, zoti Hasani tha se dallimet ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, janë dallime në koncept pasi serbët synojnë të krijojnë siguri për vete, përmes territorializimit të Kosovës, ndërkohë që pala shqiptare synon decentralizimin sipas standardeve evropiane, që nënkupton në rend të parë pasjen parasysh të individit dhe të interesave të individit.
Përfaqësuesi i serbëve të Kosovës në këtë takim, Milorad Todoroviç tha se Beogradin tani e pret vendimi i vështirë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës:
"Deshëm ne apo nuk deshëm, decentralizimi është vënë në kontekstin e pjesëmarrjes apo jo të sebrëve në zgjedhje dhe kjo është një situatë e pakëndshme lidhur me të cilën duhet vendosur shpejt, ndërkohë që vendimet e shpejta kanë me vete rrezikun e hedhjes së hapit të gabuar," tha Todoroviç, ndërkohë që Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar të koalicionit të serbëve "Kthimi", i cili sot në Beograd takohet me kryeministrin serb Koshtunica, ka thënë se vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit do të merret të hënën më 4 tetor.

XS
SM
MD
LG