Ndërlidhjet

logo-print

PETKOVIÇ: MOSPJESËMARRJA NË ZGJEDHJE E DËMSHME PËR SERBËT


Slavisha Petkoviç, kryetar i Inciativës qytetare "Serbia"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petkoviç, ju do të merrni pjesë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq Kryeministri i Serbisë Koshtunica, konsideron se nuk ekzistojnë kushte për daljen e serbëve në zgjedhje, kryetari i Serbisë, Tadiç do të shprehë qëndrimin e tij sot, ndërsa Ministri i Jashtëm Drashkoviç, thotë se serbët duhet të dalin në zgjedhje. Si i komentoni ju këto qëndrime të ndara?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Unë do t’ju them atë që e kam thënë që nga fillimi, se ky është qëndrim personal i Vojisllav Koshtunicës e jo edhe i Qeverisë Serbe. Kjo do të vërtetohet sonte, kur me siguri kryetari i Serbisë, i cili është shumë më i kthjellët dhe që ka mbajtur, të them, qëndrim shtetari në krahasim me Koshtunicën, 99% do t’ju bëjë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje. Unë mendoj se edhe Ministri i Punëve të Jashtme Vuk Drashkoviç, partner në koalicionin qeveritar të Serbisë, do t’i bashkangjitet thirrjes së kryetarit të Serbisë, ku do të ftohen serbët që të dalin në zgjedhje dhe ku do t’u flitet se cilat do të jenë humbjet dhe dëmet nëse serbët nuk dalin në zgjedhje dhe nëse nuk marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Së pari, qëndrimi i Vojisllav Koshtunicës nuk më ka shqetësuar aspak dhe unë po e udhëheq fushatën time në mënyrë normale, ndërkaq Koshtunica dhe Partia Demokratike e Serbisë e kanë të drejtën për qëndrimin e tyre. Në Beograd nuk ekziston përçarja, sepse qëndrimet e Vojisllav Koshtunicës nuk i respekton askush, sepse ai ka dëshmuar se është absolutisht njeri i gabuar në vend të gabuar, sepse politika e tij, ku problemet priten në atë mënyrë që të futet koka në rërë dhe të mendohet se problemet do të zgjidhen vetëvetiu, nuk ka më bazament as në Serbi e as ndër serbët në Kosovë. Nuk do të ketë kurrëfarë përçarjesh në Beograd. Njerëzit normalë do të përcaktohen normalisht ashtu si duhet. Ne duhet të marrim pjesë në të gjitha në të gjitha proceset demokratike në Serbi dhe në Kosovë, nëse dëshirojmë të hyjmë në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petkoviç, ju e përmendët që mosdalja e serbëve në zgjedhje do të sillte humbje për ta. A mund të na e sqaroni këtë?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Kjo konkretisht do të thotë kështu: Kuvendin e Kosovës e kanë instaluar Kombet e Bashkuara. Kosova është nën protektorat dhe të gjitha institucionet e kanë parashenjën të përkohshme. Mospjesëmarrja në zgjedhjet e organizuara nga Kombet e Bashkuara, nën mbikqyrjen e OSBE-së, do të thotë të biesh në konflikt me gjithë botën. Unë nuk e di se kujt i nevojitet më konflikti. Për qëndrimet tona ne do të luftojmë në Kuvendin e Kosovës. Serbët e Kosovës, kurrë nuk do të pranojnë që Kosova të fitojë pavarsinë përballë Serbisë. Nëse dikush në Beograd është i gatshëm që disa plane të veta të gabuara t'i shndërrojë në vepër, kjo nuk do të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët e serbëve të Kosovës nga Këshilli Nacional Serb dhe nga koalicioni “Kthimi”, janë duke e pritur sinjalin nga Beogradi për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje. Ç’farë do t’ju sugjeronit ju?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Sa i përket Këshillit Nacional Serb, edhe njëri edhe tjetri, ata nuk janë liderë. Ata janë parazitë nga Kosova. Ndërkaq sa i përket koalicionit “Kthimi”, ata janë përfaqësues të partive të Beogradit dhe është normale që ata e presin vendimin e shefave të tyre në Beograd. Unë ju sugjeroj që ne duhet ta krijojmë një front të fortë, front politik serb, të krijojmë konceptin e strategjisë dhe atë rrëfim të fillojmë ta rrëfejmë të gjithë dhe ato qëndrime t’i parashtrojmë në Kuvendin e Kosovës. Është e parëndësishme se kush do të jetë përfaqësues i serbëve në Kuvendin e Kosovës. E rëndësishme është se cilën politikë dhe si do ta përfaqësojë në institucionet kosovare. Vetëm kjo është e rëndësishme dhe ky është sugjerimi im.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petkoviç, cilat do të jenë kërkesat tuaja që do t’ua drejtoni përfaqësuesve shqiptarë pas zgjedhjeve?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Pas pesë vjetësh, kjo gjendje në Kosovë është e padurueshme. Thënë në formë të butë, gjendja në Kosovë është absolutisht jonormale dhe krejt çka është jonormale nuk mundet të qëndrojë gjatë. Mendoj se edhe liderët e partive shqiptare, dalëngadalë po vetëdijësohen se gjendja duhet të rregullohet. Çka nënkupton kjo? Së pari, që serbët që janë përndjekur nga Kosova të kthehen secili në shtëpitë e veta. E dyta, siguria duhet të garantohet për të gjithë, e veçanërisht për serbët. Ekonomia dhe fabrikat duhet të fillojnë të punojë, jeta ekonomike-politike duhet të ngritet në nivel më të lartë. Mendoj se edhe liderët shqiptarë janë të vetëdijshëm, sepse pa këtë, nëse gjërat nuk rregullohen, unë nuk shoh se si do të mund të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG