Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK NUK I JEP LEJEN E PUNËS UNIVERSITETIT NË GJUHËN SERBE NË MITROVICË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e UNMIK-ut nuk i ka vazhduar lejen e punës Universitetit në gjuhën serbe në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky vendim ka ardhur si pasojë e emërimit të paligjshëm të Radivoje Papoviçit në postin e rektorit të këtij Universitetit. Autoritetet e UNMIK-ut kanë zhvilluar sot një takim me Papoviçin, por i cili nuk ka dashur të prononcohet, ndërsa zëdhënësja Mechthilde Henneke tha se është kërkuar që atje të organizohet zgjedhja e rektorit sipas procedurave që ndër tjera nënkupton largimin e tij si i emëruar në mënyrë jo të rregullt:
“Leja nuk i është vazhduar, çka nënkupton se ky Universitet aktualisht nuk ka leje pune, kurse edhe diplomat që do të lëshohen aty nuk do të vlejnë askund jashtë kufinjve të Serbisë”, tha Henneke.
Ajo tha se Universiteti duhet të vazhdojë punën, por paraprakisht duhen zgjidhur problemet atje.
“Ne nuk mund të ndërhyjmë në këtë çështje, por mundemi t’i shfrytëzojmë kompetencat tona që të mos ja vazhdojmë lejën e punës dhe se kjo nuk nënkupton se UNMIK-u do të shkojë t’i verë çelësin për t’ia mbyllur dyert këtij Universiteti”, tha Henneke.
Arsyeja kryesore që potencohet nga UNMIK-u për mosvazhdimin e lejes, është shkarkimi në mënyrë jo të ligjshme i ish-rektorit Gojko Saviç dhe emërimin e rektorit aktual Radivoje Papoviç. Vendimi i UNMIK-ut për të mos i lëshuar lejen e punës këtij Universiteti, sipas zëdhënëses Henneke, do të jetë në fuqi derisa rektori i atjeshëm të mos zgjidhet në mënyrë të ligjshme.
Përndryshe, hapja e Universitetit serb në pjesën veriore të Mitrovicës, nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës është arsyetuar vazhdimisht me mungesën e kushteve të sigurisë që studentët serbë të studiojnë në Prishtinë. Për shkak se ky Universitet vazhdimisht ka punuar me planprogramet e Serbisë, ai nuk është licensuar as nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Kurse emërimi i Radivoje Papoviçit për rektor atje, i njohur në Kosovë si njeriu që pati drejtuar Universitetin e Prishtinës gjatë viteve të ’90-ta në kohën e masave të dhunshme, kur stundetët shqiptarë u larguan atë kohë nga objektet e Universitetit, e ka shtyrë tani dhe UNMIK-un të reagojë dhe të mos e pranojë atë si rektor të vetë-emëruar të këtij Universiteti.


XS
SM
MD
LG