Ndërlidhjet

REXHEPI: THIRRJA E TADIÇIT NUK ËSHTË E SINQERTË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi e ka quajtur të papranueshme thirrjen që sonte presidenti i Serbisë, Boris Tadiç u ka bërë serbëve të Kosovës për të dalë në zgjedhje duke e kushtëzuar këtë me krijimin e organeve të pushtetit serb në hapësirat ku banojnë sebrët e Kosovës, ku ata do të kishin në dorë, policinë, gjyqësinë, shëndetësinë dhe arsimin.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi në një deklaratë për Evropën e Lirë tha se thirrjen për të dalë në zgjedhje do ta cilësonte të sinqertë, sikur të mos kishte kushtëzime që janë të papranueshme:
"Mendoj se kjo është plotësisht e papranueshme, pasi asnjë inkurajim i komunitetit serb me kushtëzim,e nuk pranohet dhe me këtë ai vetëm dëshiron t’i legjitimojë strukturat paralele që ekzistojnë”, tha Rexhepi.
Në anën tjetër, kryetari i Serbisë, Boris Tadiç në një fjalim drejtuar opinionit në televizionin e Serbisë, i ka ftuar serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës, por ka thënë se nëse nuk respektohet kërkesa e tij që në afatin prej tre muajsh të vihen organet serbe të pushtetit lokal të njohura ndërkombëtarisht, do të kërkojë nga deputetët serbë që të heqin dorë nga mandatet e tyre dhe ta lëshojnë parlamentin e Kosovës. Ai ka thënë se ky pushtet lokal do të thotë që policia, gjyqësia, shëndetësia dhe arsimi të jenë në duart e serbëve dhe ka përcaktuar një afat prej tre muajsh për realizimin e kësaj. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen brenda afatit të përcaktuar, do të kërkojnë që të lëshohet kuvendi, ndërsa realizimi i këtyre të drejtave mund të bëhet vetëm duke qenë pjesë e procesit dhe e institucioneve dhe duke marrë pjesë në zgjedhje, ka porositur Tadiç.
Mirëpo, kryeministri Rexhepi tha se qytetarët serbë të Kosovës duhet të mendojnë vetë dhe jo të presin sugjerime nga Beogradi:
"Mendoj se më në fund, komuniteti serb në Kosovë duhet të fillojë të mendojë me kokën e vet, pasi janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të marrin pjesë në institucionet demokratike dhe të ndërtojnë mirëbesimit dhe të mos bazohen vetëm në sugjerimet e Beogradit, pasi në një klimë të tillë nuk mund të presin ndonjë sugjerim të mençur”, tha kryeministri Rexhepi duke përkujtuar konfuzionin që kanë shkaktuar kisha serbe, partitë e ndryshme dhe qeveria e Serbisë, që kanë kërkuar nga serbët të mos dalin në zgjedhjet e Kosovës.



XS
SM
MD
LG