Ndërlidhjet

KORRUPSIONI FUQIMISHT I PRANISHËM NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ende vazhdojnë të egzistojnë dyshimet e shfaqura nga njerëzit në Kosovë, që në institucionet qeveritare dhe publike është tepër e pranishme dukuria e korrupsionit. Deri tani nuk është bërë mjaft për të luftuar këtë dukuri, por qeveria e Kosovës ka aprovuar një strategji të përgjithshme kundër korrupsionit dhe kjo është vetëm faza fillestare, ku janë duke u krijuar mekanizmat e parë për parandalimin e kësaj dukurie, thotë Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës.
"Për momentin jemi duke punuar në planin e veprimit që ka të bëjë me zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit. Natyrisht kur nuk ka mekanizma institucionalë në një shoqëri, apo në një shtet, kjo dukuri e korrupsionit reflektohet më shumë dhe gjen hapësirë dhe shtrihet kudo. Ajo që jemi duke bërë është që institucionet, shërbimi civil të rritin vetëdijësimin në ndalimin e kësaj dukurie të keqe".
Në anën tjetër disa qytetarë shprehin mendimin se në shumë segmente të jetës në Kosovë egziston dukuria e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitave zyrtare.
Ram Blakaj, ekonomist nga Prishtina thotë:
"Për shembull le të marrim shëndetësinë. Aty korrupsioni është deri në kulm. Shkon për t'u vizituar në klinikë, menjëherë të thotë eja në klinikën time, s'kemi material, nuk kemi inçizime. Nga ana tjetër shihen ndërtime mbindërtime, me leje, pa leje".
Ndërkaq Hajredin Gagica, nënpunës në qeverinë e Kosovës, shpreh bindjen e tij se egziston korrupsioni në institucionet qeveritare dhe ato publike.
"Rastis që çdo tender që fitohet, dikush kur fiton nuk vijnë njerëzit të paraqiten ata që duhet të paraqiten për të përfunduar punimet, përkundrazi zgjidhen në bazë të korrupsionit dhe për këtë arsye kemi ndryshimin e shkallës së punësisë dhe të papunësisë, konkretisht të varfërisë së skajshme, e cila veç egziston. Çuditem si nuk ka shpërthyer deri më sot. Administrata gjithashtu është e korruptuar. Për të nxjerrë një leje apo një dokument, pa e dhënë para nuk mundesh ta marrësh dokumentin."
Lidhur me pohimet e qytetarëve zoti Hajredini thotë:
"Nëse ndonjë qytetar jep perceptim për KEK-un dhe thotë se është i korruptuar, nuk do të thotë se ne e marrim atë 100 përqind për bazë që vërtet KEK-u është i korruptuar, por perceptimi i qytetarit na lejon ne që të bëjmë identifikim të dukurive të këqija të korrupsionit. Nëse ka të bëjë me çështjet e shëndetësisë, do të thotë që shkon në spital apo diku dhe ballafaqohet me ato rryshfete, do të ankohet se tërë institucioni po korruptohet. Ose nëse shërbimet civile, ato komunale janë shumë të ngadalshme, ose kërkojnë gjëra që ndeshen qytetarët me keqpërdorime, atëhere automatikisht do mendohet se institucionet janë të korruptuara. Ky është një faktor që ata perceptojnë dhe ndeshen dhe ne mund t'i kemi si bazë fillestare për një identifikim të tillë."
Ndërkaq Ribane Martiri, punonjëse në arsim thekson:
"Pikërisht kjo ngecje e zhvillimit në çdo proces, domethënë në ecurinë përpara, po më duket se është pasojë e korrupsionit që mbretëron çdokund, në të gjitha institucionet, edhe qeveritare edhe të tjerat. Vërehet tek KEK-u ku nuk po bëhet pagesa në mënyrë të rregullt. Në qoftë se i ofron një 100 euro personit i cili ta ka shkëputur energjinë elektrike, aty për aty merr hapa dhe ta lëshon. A nuk është korrupsion ky?"
Naser Novovërdaliu, i papunësuar shpreh dyshimin:
"Vetëm mjafton të kujtohet gjendja materiale e këtyre udhëheqësve tonë para luftës dhe shikojeni gjendjen e tyre pas luftës. Menjëherë keni për ta parë se ku është gjendja materiale ekonomike e tyre. Ajo tregon. Menjëherë keni për ta kuptuar çfarë është në pyetje. Maksimum është kjo dhe sidomos ata e bëjnë këtë korrupsion."
Mungesa e transperencës së duhur nga institucionet për punën e tyre është një nga shkaqet që i shtyn qytetarët të dyshojnë thotë zoti Hajredini:
"Kur flasim për qytetarët ata janë të vetmit që mund ta perceptojnë dhe ta shohin këtë dukuri. Në fakt ne gjithmonë jemi munduar që të jemi një zyrë që bën ngritjen e vetëdijësimit të trajtimin, të mënyrë që të bëhet një parandalim. Ankesat drejtohen, janë aktuale dhe ne i shqyrtojmë dhe i dërgojmë tek organet që janë kompetente, tek policia dhe gjykatat."
Sidoqoftë derisa në Kosovë ende janë duke u krijuar mekanizmat për luftë kundër korrupsionit, Kosova është në projektin e Këshillit Evropian për zbatimin e strategjive kundër korrupsionit në të gjitha vendet e rajonit.

XS
SM
MD
LG