Ndërlidhjet

UASHINGTON


Raporti kryesor për programet e armëve irakiene ka konkluduar se në Irak nuk ka patur stoqe të armëve kimike, biologjike apo bërthamore, para fillimit të luftës vitin e kaluar.
Kryeinspektori i ekipit amerikan Charles Duelfer, e paraqiti raportin prej më shumë se 1.000 faqesh në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura.
"Nuk mund të themi definitivisht nëse materialet e armëve për shkatërrim në masë janë transferuar nga Iraku para fillimit të luftës. As mund të përgjigjemi për mundësinë e mbetjes së tyre, megjithëse gjykimi im është se stoqet nuk kanë mbetur", tha Duelfer.
Administrata e presidentit George Bush e justifikoi luftën në Irak me pohimet se Bagdadi zotëron armë të tilla.
Pa iu referuar raportit, gjatë fushatës në Pensilvani, presidenti George Bush e mbrojti invazionin në Irak.
"Pas 11 shtatorit, Amerika duhej ta vlerësojë çdo kërcënim potencial në dritën e rrethanave të reja. Duhej të vështronim çdo vend, ku terroristët mund t'i shtinin në dorë armët e këtilla. Njëri regjim u dallua: diktatura e Saddam Husseinit", tha presidenti Bush.
Zëdhënësi i kandidatit presidencial demokrat John Kerry tha se raporti "e minon jokompetencën e politikës së Bushit ndaj Irakut".
XS
SM
MD
LG