Ndërlidhjet

HIV-AIDS KËRCËNON EDHE KOSOVËN


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë ende nuk dihet shtrirja e saktë e epidemisë së virusit HIV që njihet edhe me akronimin SIDA. Edona Deva nga Ministria e Shëndetësisë, e cila udhëheq edhe Komitetin Kosovar të SIDA-s thotë se pavarësisht nga kjo, Kosova ende vazhdon të mbetet vendi me nivelin më të ulët të të infektuarve nga virusi HIV, me një shkallë që arrin në 0.01 për qind. Një përllogaritje e tillë është bërë pas testimit të 20 mijë mostrave të gjakut në Qendrën e Transfuzionit. Ky virus për herë të parë në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe që prej atëherë janë evidentuar 58 raste të infektimit, ndërsa deri në vitin 2001, 25 persona kanë gjetur vdekjen nga infektimi.
“Mirëpo pa marrë parasysh periudha e pasluftës karakterizohet me rritje të numërit të rasteve. Dihet se HIV e ka një periudhë të gjatë të qëndrimit në organizmin e njeriut pa ekspozuar shënja në trup. Mund të kalojnë 10 apo më shumë vite derisa personi, i cili nuk është testuar më herët, të kuptojë se është HIV pozitiv”, tha zonja Deva.
Edhe Ilir Begolli, nga Departamenti për Shëndetësi Sociale në Institutin Kombëtar për Shëndetin Publik, pohon se ky problem në një kohë të afërt mund të rritet në mënyrë dramatike, në rast se nuk ndërmerren masa kolektive për parandalimin e tij.
“Mirëpo në kohën e fundit të gjithë ne jemi duke u ballafaquar me një rritje të problematikës së trafikimit dhe seksit komercial. Në fillim ndoshta numri i personave të tillë, të cilët kanë shfrytëzuar shërbimet e këtyre personave që merren në mënyrë komerciale në tregun e seksit ka qenë mjaft i vogël dhe kanë qenë të huaj, sot afër 80 përqind të konsumatorëve në këto shtëpi publike janë kosovarët.”
Zonja Deva ndërkaq pohon se Komiteti Kosovar për SIDA-n ka hartuar një strategji, për kontrollimin e, siç thuhet, “grupeve të rrezikut”. Në kuadër të kësaj strategjie komiteti është duke punuar në fuqizimin e sistemit të mbikqyrjes së sëmundjeve, tha zonja Deva.
"Sipas strategjisë kosovare ne jemi orientuar në këto grupe të rrezikut; në rininë, punëtorët e seksit komercial dhe klientët e tyre, përdoruesit e drogave injektuese, në meshkujt që bëjnë seks më meshkuj, në të burgosur dhe në popullatën mobile dhe migruese,”tha zonja Deva.
Ajo shtoi se personat që janë kategorizuar në grupet e rrezikut, e që kryesisht janë të rinj, janë të njoftuar mirë për mënyrat e mbrojtjes nga ky virus, por megjithë këtë, sipas zonjës Deva, shprehitë vështirë të ndërrohen. Ndryshe, në Kosovë ekzistojnë tre qendra për këshillim dhe testim vullnetar mbi këtë virus, të cilat deri më tani i kanë vizituar vetëm 600 persona.


XS
SM
MD
LG