Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË


Ish-senatori amerikan Robert Dole ka mbërritur sot në një vizitë në Prishtinë, duke shprehur bindjen e tij se Kosovë i është ofruar rrumbullaksimit të statusit të saj, që sipas tij do të kurorëzohet me pavarësinë e saj gjatë vitit të ardhshëm.
Senatori Bob Dole është pritur nëAeroportin e Prishtinës, nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Dole tha se vizita e tij reflekton mbështetjen që ka Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga demokratët, apo republikanët.
“Unë gjithmonë kam qenë i interesuar për Kosovën, demokratizimin e saj dhe shpresoj pavarësinë e saj dhe mendoj se viti 2005 do të jetë një vit shumë i madh për Kosovën”, tha senatori Bob Dole.
Ndërsa, presidenti Rugova, tha se vizita e senatorit Dole paraqet një gëzim të madh në Kosovë. Ai e ka emëruar senatorin Dole, „Ambassador Nderi“ të Kosovës në Shtetet e Bashkuara.
“Po vjen pas 14 vjetësh dhe sot e gjen Kosovën të lirë, të rindërtuar. I shprehim edhe një mirënjohje të madhe për punën që e ka bërë, për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Rugova.
Ish-senatorit amerikan i njohur për angazhimin e tij për Kosovën, presidenti Rugova do t’i ndajë nesër “Medaljen e Artë të Lirisë”. Gjatë kësaj vizite, ai tha se do t’i takojë dhe liderët tjerë vendorë si dhe zyrtarët e UNMIK-ut. Në përgjithësi, Bob Dole tha se pret që Kosova të shënoj një përparim të madh gjatë muajve dhe vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG