Ndërlidhjet

BE BËN THIRRJE PËR ZGJEDHJE TË QETA DHE DEMOKRATIKE


Augustin Palokaj, Luksemburg

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e 23 tetorit në Kosovë të mbahen në mënyrë të qetë, në mënyrë demokratike dhe të jenë gjithëpërfshirëse dhe në to të marrin pjesë të gjithë. Kjo thuhet edhe në qëndrimet e ministrave të jashtëm të BE-së, të publikuar sot pas takimit të ministrave të jashtëm të zhvilluar në Luksemburg. Këshilli i Bashkimit Evropian ka mirëpritur edhe thirrjen që i ka bërë presidenti i Serbisë Boris Tadiç për pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe po ashtu ka mirëpritur edhe regjistrimin e partive serbe për të marrë pjesë në këto zgjedhje, që është rezultat i thirrjes së zotit Tadiç. Ministrat e Bashkimit Evropian në konkluzat e tyre kanë nënvizuar edhe rëndësinë që i japin formimit të hershëm të një qeverie në Kosovë menjëherë pas zgjedhjeve, qeveri e cila do të jetë e përkushtuar tërësisht zbatimit të standardeve dhe do të hapë rrugë për vlerësimin pozitiv të tyre në mesin e vitit 2005, që do të hapte pastaj rrugën për bisedimet për statusin përfundimtar. Po ashtu ministrat kanë përsëritur edhe përkushtimin për një Kosovë multietnike, në të cilën do të sigurohet mbrojtja e pakicave dhe do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit, e do të ishte në përputhje edhe me vlerat e standardet evropiane. Një pjesë të madhe diskutimeve të tyre ministrat sot i kanë kushtuar bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, nga ana e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në përfundimet për Ballkanin Perëndimor, thuhet se ministrat e BE-së me shqetësim të thellë kanë dëgjuar raportin e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, lidhur me nivelin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit me këtë tribunal. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit që pa kushte dhe pa ndonjë vonesë të bashkëpunojnë me këtë tribunal, duke i përkujtuar se ky është obligim kryesor dhe në rast të dështimit që ta plotësojnë, do të rrezikojnë seriozisht rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte, përveçse ka shfaqur pakënaqësi për dështimin e Serbisë dhe Malit të Zi të bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, është shprehur mjaft e revoltuar edhe për mungesën e bashkëpunimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe e autoriteteve në Kosovë me të. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës ka thënë pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, se ka probleme jashtëzakonisht të mëdha në hetimet që është duke i zhvilluar kundër liderëve të ish- Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.
"Ju nuk mund ta paramendoni se sa probleme kemi kundër liderëve të UÇK-së në Kosovë. Atje ka kërcënime të mëdha kundër dëshmitarëve dhe ata tani nuk po dëshirojnë të bashkëpunojnë. Ne nuk kemi ndihmë nga askush. As nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë e as nga autoritetet lokale. Gjithshka që po bëjmë atje është nga puna e hetuesve të mi, por unë deri në fund të vitit do të ngre edhe një aktakuzë tjetër kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë," ka thënë sot Karla del Ponte, në Luksemburg.



XS
SM
MD
LG