Ndërlidhjet

KFOR HEDH POSHTË INFORMACIONET PËR HEQJEN E ZONËS AJRORE TË SIGURISË KOSOVË- SERBI


Albana Isufi, Prishtinë

Vendimi për heqjen graduale të zonës ajrore të sigurisë përgjatë kufijve mes Kosovës e Serbisë, nuk mund të merret nga KFOR-i, por nga instanca më të larta, kanë thënë sot zyrtarë të KFOR-it, duke hedhur kështu poshtë pohimet e disa mediave serbe se është arritur një marrëveshje për këtë çështje mes komandantit të KFOR-it Yv de Kermabon dhe Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë e Malit të Zi, Prvoslav Daviniç.
Shefi për informim i KFOR-it Yv Kermovant tha për Radion Evropa e Lirë, se kontrollin e zonës ajrore prej 5 kilometrash përgjatë kufijve vazhdon ta kontrollojë KFOR-i, ashtu siç është paraparë në Marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës të vitit 1999.
“Në 5 kilometra përgjatë zonës kufitare nuk mund të depërtojnë aeroplanë nga Serbia e Mali i Zi dhe kjo zonë kontrollohet nga KFOR-i. Është ky një vendim që tashmë nuk mund të diskutohet”, tha shefi për informim i KFOR-it Yv Kermovant.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe i Malit të Zi Prvoslav Daviniç, ka thënë dje pas takimit të djeshëm të rregullt me komandantin e KFOR-it Iv de Kermabon, se ishte arritur një marrëveshje që të fillojnë diskutimet për heqjen graduale të zonës ajrore mes Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi. Por Shefi për informim i KFOR-it Iv Kermovant, e ka mohuar këtë kategorikisht.
"Absolutisht jo, ka ndryshime sepse vendimi nuk është i nivelit të KFOR-it dhe këtu kemi të bëjmë me marrëveshje ndërkombëtare, që nuk i takon nivelit të KFOR-it", tha Iv Kermovant.
Megjithatë sipas shefit për informim të KFOR-it, ka një koordinim mes forcave ushtarake të KFOR-it dhe atyre të Serbisë dhe Malit të Zi në patrullimet e tyre përgjatë kufijve administrativë mes Kosovës dhe Serbisë.
"Është çështje e koordinimit sepse ne duhet të dimë se çfarë kalon nëpër kufi për shkak të arsyeve të sigurisë, sepse ka shumë njerëz që i kalojnë këtak ufij duke kontrabanduar armë, drogë dhe gjëra të tilla. Kështu që ka koordinim në mes të këtyre forcave", tha Kermovant.
Sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës të nënshkruar në qershor të vitit 1999, në bazë të së cilës u tërhoq ushtria dhe policia serbe prej Kosovës, komandanti i KFOR-it mban takime të rregullta 2 mujore me ushtarakët serbë. Takimet zakonisht mbahen në pikën kufitare të Merdares dhe janë të mbyllura për gazetarët.



XS
SM
MD
LG