Ndërlidhjet

VAZHDOJNË DILEMAT E SUBJEKTEVE POLITIKE SERBE PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Subjekti i dytë serb i certifikuar për zgjedhjet e tetorit në Kosovë, me emrin " Lista serbe për Kosovën e Metohinë", as sot nuk do të marrë vendimin për të dalë apo jo në zgjedhje. Ndonëse deri në ditën e votimeve kanë mbetur vetëm 12 ditë, njëri prej zyrtarëve të këtij subjekti politik Oliver Ivanoviç, tha se vendimi nuk do të merret sot. Dilemat e serbëve për të dalë në zgjedhje janë shtuar pas përplasjeve të shtuara në Serbi ndërmjet presidentit të atjeshëm Boris Tadiç dhe kryeministrit Vojisllav Koshtunica. Kështu liderët lokalë serbë presin kompromisin në Beograd, para se të vendosin për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Ndërkohë subjekti tjetër serb i certifikuar gjithashtu për të marrë pjesë në zgjedhje "Inciativa qytetare Serbia", ka propozuar sot që serbët e Kosovës të dalin në zgjedhje me një subjekt të vetëm, duke përfshirë kështu në koalicion dhe "Listën serbe për Kosovën dhe Metohinë".
"Serbët duhet të dalin në zgjedhje me një listë të përbashkët, në mënyrë që të mund t'i mbrojnë më mirë të drejtat e serbëve të Kosovës", thuhet në deklaratën e lëshura nga kjo iniciativë, të cilën e transmetuan agjencitë e lajmeve. Lidhur me këtë propozim, Oliver Ivanoviç nga "Lista serbe për Kosovën dhe Metohinë", tha se tani është shumë vonë që serbët të formojnë koalicione të gjera, kur dihet se kanë mbetur pak ditë deri në votime.
"Do të duhej që në listën e serbëve të përfaqësohen të gjithë dhe ajo të jetë përfaqësimi i serbëve të Kosovës, por në këto kushte, kur kanë mbetur kaq pak ditë, kjo nuk mund të realizohet ka thënë Ivanoviç.
Deri tani "Iniciativa qytetare Serbia," ende mbetet i vetmi subjekt serb, që i ka plotësuar kriteret e parashtruara për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa subjekti tjetër serb i quajtur "Lista serbe për Kosovën dhe Metohinë", përveç dilemave të vazhdueshme për të marë apo jo pjesë në zgjedhje, ende nuk i ka plotësuar dhe çështjet procedurale tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG