Ndërlidhjet

THAÇI: NE PUNOJMË PËR TË NDËRTUAR DEMOKRACI QYTETARE


Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 tetorit, gjithnjë e më shumë po dëgjohen zërat se partitë që kanë qenë në pushtet kanë ofruar një qeverisje jofunksionale. Çfarë ofron Partia Demokratike më shumë se çka ofruar deri tani për të përmirësuar kushtet në të cilat jeton një qytetar i Kosovës?

HASHIM THAÇI
Me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit, Kosovës dhe qytetarëve të saj i garantohet ndërtimi i shteti modern, i integruar në strukturat e Bashkimit Evropian, i garantohet qytetarit të Kosovës rend, rregull, siguri, mirëqënie ekonomike e sociale, punësim shumë më të madh të të rinjve, bashkëpunim edhe më të theksuar me komunitetin ndërkombëtar. I garantohet që Kosova do të qeveriset prej kosovarëve, ndërsa UNMIK-u do ta ketë një rol mbikqyrës apo një zyrë kujdestarie. Thjesh qytetarit të Kosovës i garantohet një zhvillim i gjithëmbarshëm, shumë më pozitiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Për shumëkënd në Kosovë, por edhe jashtë saj zgjedhjet e sivjetme do të hapin dyert rreth vlerësimit të përmbushjes së standareve dhe rrjedhimisht drejt mundësisë së paralajmëruar për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Në këtë kuadër çfarë mendoni ju, cilat do duhej të jenë prioritetet e institucioneve të ardhshme që do të dalin nga zgjedhjet e përgjithshme, në bazë të të cilave do të mundësohej fillimi i përcaktimit të statusit?

HASHIM THAÇI
Fillimisht duhet të presim rezultatin zgjedhor, duhet pastaj të ndërtojmë menjëherë institucionet stabël efektive e të qëndrushme,shumëpërfshirëse e shumëetnike, institucione e bartës të tyre, që do të jenë të gatshëm, të aftë e të përgjegjshëm që t'i hyjmë procesit të zgjidhjes së statusit politik. Unë besoj se të gjitha këto vlera i ka lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës, që të zbatojë vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi e në të njëjtën kohë ka potencialin, ka kapacitetin dhe aftësitë e duhura që bashkarisht me ndërkombëtarët të krijojë rrethanat e pranueshme, të favorshme që komuniteti ndërkombëtar të njohë realitetin demokratik në Kosovë. Sa u përket standardeve, komuniteti ndërkombëtar duke parë përkushtimin tonë për të punuar në bazë të parimeve, principeve më demokratike, do të njohë apo krijojë ato rrethana, që do të nënkuptojnë një vlerësim pozitiv të përmbushjes së standardeve në vitin 2005. Standardet nuk janë akt, janë proces. Prandaj edhe komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë ashtu si dhe ne e kemi të qartë, se me standardet do të merremi tani, edhe gjatë zgjidhjes së statusit, por edhe pas zgjidhjes së statusit, për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë jemi tek statusi. Si e shihni ju mënyrën e përcaktimit të statusit nëpërmjet negociatave, ndonjë konference ndërkombëtare, referendumi?

HASHIM THAÇI
Nuk preferoj organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare. Zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte njohja e të drejtës së qytetarëve të Kosovës që përmes vullnetit të vet, përmes referendumit, të shprehin aspiratën e tyre, vullnetin e tyre për statusin politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e sivjetme janë përshkuar edhe me përpjekjet për të bindur përfaqësuesit e komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Efekti megjithatë ka qenë i pjesërishëm. Sipas jush ku qëndron problemi?

HASHIM THAÇI
E rëndësishme është se një pjesë e serbëve do të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Gjithashtu mjaft e rëndësishme është se ata do të jenë pjesë e proceseve demokratike kurrsesi e strukturave paralele të dirigjuara nga Beogradi. Kështu që ne kemi qenë në favor dhe jemi në favor të pjesëmarrjes së të gjithëve, të të gjithë qytetarëve në Kosovë pa dallime të përkatësisë etnike, në zgjedhje, por edhe si pjesë e institucioneve të nesërme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë konkretisht ofron Partia Demokratike për pakicat, për lirinë e lëvizjes së tyre, për kthimin e tyre?

HASHIM THAÇI
Partia Demokratike e Kosovës punon për ndërtimin e identitetit shtetëror të Kosovës, që secili qytetar i Kosovës ta ndiejë veten shtetas i Kosovës, që të krijojmë kushtet e rrethanat për liri të lëvizjes. Për siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës ne pretendojmë që të ndërtojmë shtetin e pavarur e sovran në të cilin çdo qytetar i Kosovës, në çdo pëllëmbë të Kosovës të jetojë i barabartë, i lirë, në siguri, por edhe në mirëqënie sociale. Ne nuk punojmë në baza seleksionuese për atë apo këtë komunitet, por ne respektojmë parimin demokratik të respektimit të të drejtave të secilit qytetar, pa dallime të përkatësive etnike. Thjesht ne punojmë për të ndërtuar demokraci qytetare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e kaluara të përgjithshme në Kosovë kanë përfunduar me një formulë bashkëqeverisjeje. Kritikët kanë tërhequr vërejtjen se një formulë e tillë nuk mund të jetë e suksesshme, sepse ajo eleminon opozitën. Çfarë mendoni ju, llogaritni në bashkëqeverisje?

HASHIM THAÇI
Unë punoj, shpresoj dhe besoj se Partia Demokratike e Kosovës do të fitojë shumicën e mjaftueshme për të ndërtuar institucionet në nivel qëndror. Kështu që me fitoren e PDK-së do të krijohen rrethanat dhe kushtet e përshtatshme që të ndërtojmë institucione efektive, institucione mjaft të përgjegjshme. Në të njëjtën kohë ne nuk ndjekim llogjikën e përjashtimit, por edhe të integrimit të të tjerëve. Sido që të jetë kjo do të varet prej rezultatit zgjedhor. Unë shpreh gadishmërinë time dhe të Partisë Demokratike të Kosovës por edhe përkushtimin që pas zgjedhjeve të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për interesat e vendit dhe qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi zoti Thaçi porosia juaj për qytetarët?

HASHIM THAÇI
Porosia ime për të gjithë qytetarët e Kosovës është pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe natyrisht votim sa më i madh dhe me shumicë solide për Partinë Demokratike të Kosovës.

Intervistoi Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG