Ndërlidhjet

UNMIK VAZHDON T'I OFROJË MBËSHTETJE TRIBUNALIT TË HAGËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është deklaruar sot se qëndron e hapur për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës të kryera në ish-territorin e Jugosllavisë, gjegjësisht territorin e Kosovës. Duke u ndërlidhur në deklaratat e botuara në media që i atribuohen Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, se gjatë fundit të muajit mund të ketë arrestime të reja në Kosovë, zëdhënësi i shtyllës së dytë të UNMIK-ut për siguri dhe drejtësi, Neeraj Nsing, tha se UNMIK-u nuk përzihet në punët e Tribunalit, pasi kjo Gjykatë është një institucion ndërkombëtar, i pavarur që vepron në territorin e ish-Jugosllavisë. Por, ai tha se UNMIK-u do t’i ofrojë ndihmën e duhur Tribunalit duke treguar bashkëpunim korrekt me Hagën:
“Ne duhet të përsërisim se i kemi ofruar dhe vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje të plotë Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës”, tha zëdhënësi Nsing. Shefi i UNMIK-ut, tha ai, ka bashkëpunim të ngushtë me Tribunalin dhe pret që të takojë dhe kryeprokuroren Del Ponte, që t’i diskutojnë çështjet e bashkëpunimit reciprok. Në vazhdim, Nsing nuk ka dashur t’i komentojë nëse janë të vërteta apo jo raportimet në media në lidhje me hetimet e reja që Tribunali po i bën në Kosovë dhe paralajmërimet për arrestimet e reja të mundshme në Kosovë:
“Ne nuk jemi në pozitë që të spekulojmë në lidhje me hetimet e mundshme apo arrestimet që do t’i ndërmerrte Tribunali i Hagës, pasi ai është një Tribunal i pavarur”, tha zëdhënësi Nsing. Ai përsëriti se UNMIK-u bashkëpunon me Hagën, por nuk pranoi të tregojë nëse UNMIK-u dhe KFOR-i e dinë se ndaj kujt janë duke u vazhduar hetimet e Tribunalit. Deri më tani, Tribunali i Hagës ka ngritur tre aktakuza ndaj ish-pjestarëve të UÇK-së, ndaj të cilëve pritet të fillojë procedura gjyqësor më 15 nëntor të këtij viti. Kurse për raste të tjera Tribunali lejon gjykimin e tyre edhe në gjykatat e Kosovës.



XS
SM
MD
LG