Ndërlidhjet

logo-print

TËRHEQJA E KISHËS SERBE PEZULLON TENDERAT PËR RINDËRTIMIN E OBJEKTEVE FETARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Tërheqja e përfaqësuesve të Kishës Orthodokse Serbe nga memorandumi i marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës dhe nga komisioni ndërkombëtar për trashëgiminë kulturore, do të ndikojë për ngadalësimin e procesit të rindërtimit të objekteve fetare të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, pasi tenderët e shpallur për këtë janë pezulluar, kanë thënë përfaqësues të UNMIK-ut dhe të qeverisë së Kosovës, duke e komentuar vendimin e peshkopit Artemie për t’u tërhequr nga marrëveshja dhe nga komisioni.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e Kosovës, Bexhet Brajshori, nënshkrues i memorandumit të mirëkuptimit me Kishën Orthodokse Serbe dhe kryetar i komisionit për eliminimin e dëmeve të shkaktuara gjatë marsit, tha se ky është një obstruksion që i bëhet gjithë procesit:
"Tërheqja në këtë rast e peshkopit Artemije sigurisht se do të ndikojë për ngadalësimin e procesit për restaurimin e dëmëve të bëra dhe e konsiderojmë si një obstruksion që i bëhet programit të rindërtimit."
Vetë përfaqësuesit e Kishës Orthodokse Serbe ndërkaq thanë se peshkopi Artemije nuk është tërhequr nga marrëveshja, por është pezulluar marrëveshja. Kleriku Simeone, përfaqësues i Kishës tha se kjo është bërë pasi gjërat nuk kanë funksionuar si duhet, edhe pse Komisioni ka filluar punën me 18 gusht:
"Nuk mund të thuhet saktësisht se peshkopi Artemije është tërhequr, mirëpo memorandumi është shfuqizuar dhe nuk ka kurrfarë të drejte juridike dhe në pajtim me këtë, edhe përfaqësuesit serbë nuk marrin pjesë në punën e atij komisioni," tha kleriku Simeone, sipas të cilit ky akt nuk do të thotë se Kisha Orthodokse ndërpret çfarëdo marrëdhënie me bashkësinë ndërkombëtare, pasi sipas tij bashkëpunimi është i nevojshëm, por vetëm pas marrëveshjeve të reja me kushte të tjera dhe me garancitë se ajo që thuhet edhe do të realizohet. Kleriku Simeone, tha se dimri po vjen dhe asnjë gur nuk është lëvizur nga vendi në kishat e rrënuara më 17 mars.
Mirëpo, ministri Brajshori thotë se fajin për vonesat e bart pikërisht peshkopi Artemije:
"Pikërisht, vetë Artemije ka bërë vonesa dhe obstruksione që prej fillimit, pasi edhe vetë memorandumi është nënshkruar me vonesë për shkak të mosangazhimit të duhur të peshkopit Artemije".
Pavarësisht se kush është fajtor për vonesat, UNMIK-u ka shprehur keqardhjen për këtë vendim të Kishës Orthodokse Serbe që do të pengojë rindërtimin e objekteve fetare, aq më tepër kur Këshilli i Evropës është angazhuar aktivisht edhe përmes Komisionit për Trashëgiminë Kulturore për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë marsit. Zëdhënësi Bieley tha se pa pjesëmarrjen e Kishës tenderët do të jenë të pezulluar:
"Tenderët që janë shpallur dhe ata që janë në procesin e përgatitjes janë pezulluar, prandaj pa pjesëmarrjen e Kishës Orthodokse Serbe ne nuk do të jemi në gjendje të shkojmë përpara," tha zëdhënësi Bieley, duke e arsyetuar këtë me faktin se pikërisht Kisha Orthodokse Serbe është palë nënshkruese e marrëveshjeve.
Kleriku Simeone, ndërkaq ka thënë se kishat serbe mund të rindërtohen me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, nëse arrihen marrëveshje të reja të favorshme për Kishën serbe, e cila në një rast tjetër do të kërkojë ndihmën tjetërkund.
"Nëse ata nuk do të jenë të gatshëm të punojnë nën kushtet dhe mënyrën e përshtatshme, ne do të duhet të kërkojnë rrugë tjetër, me Beogradin apo do të shohim," ka thënë kleriku Simeone.
Deri tani 4.2 milionë euro janë alokuar nga buxheti i Kosovës për rindërtimin e kishave të dëmtuara, ndërkohë që janë shpallur tetë tenderë për fillimin e punës në 11 kisha, ndërsa 21 tenderë të tjerë kanë qenë të gatshëm për t’u shpallur më 7 tetor.

XS
SM
MD
LG