Ndërlidhjet

MOSGADISHMËRIA E SERBËVE PËR PËRFSHIRJE NË TMK RREZIKON PLOTËSIMIN E STANDARDIT 8


Albana Isufi, Prishtinë

Trupat Mbrojtëse të Kosovës ende nuk kanë arritur që të përfshijnë 10 përqindëshin e minoriteteve në kuadër të numrit të përgjithshëm te pjesëtarëve të tyre.
Ky është njëri nga kushtet kryesore që të përmbushet standardi i tetë i vënë nga bashkësia ndërkombëtare për TMK-në, para se të hapen diskutimet për statusin final të Kosovës.
Komandanti i këtyre trupave gjenerali Agim Çeku, thotë se pikërisht përfshirja e minoriteteve është vështirësia më e madhe me të cilën ballafaqohen Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
"Ne shohim vetëm një vështirësi në përmbushjen e këtij standardi dhe asnjë tjetër, e ai është përfshirja e minoriteteve në numrin që kërkohet deri në 10 për qind. Ne si TMK- do të bëjmë atë që na përket, do të bëjmë përpjekje që ta përmbushim. Por, askënd nuk mund ta detyrojmë që t’i bashkohet TMK-së, por ne do t’i ofrojmë mundësi atyre që ta gjejnë veten në TMK," tha Agim Çeku.
Megjithatë, gjenerali Çeku, sipas të cilit deri tani TMK-ja ka përmbushur 50 për qind të standardit të tetë, shpreson se deri në fund të vitit kjo përqindje do të rritet edhe më shumë.
"Deri tani ne kemi përmbushur 50 për qind të këtij standardi domethënë, i kemi 150 anëtarë të pakicave, prej tyre 32 serbë. Është duke punuar një Task Force për rekrutimin e përfaqësuesve të minoriteteve dhe që tani kemi 16 aplikime të serbëve dhe brenda këtij muaji presim që t'i sistemojmë ato në njësi. Presim që deri në fund të vitit t’i afrohemi përqindjes së kërkuar, ndoshta jo 10 për qind por afërsisht", tha Çeku.
Ndryshe, Trupat Mbrojtëse të Kosovës vazhdojnë të mbeten kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut dhe e KFOR-it. Komandanti Çeku, por edhe institucionet e Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar që këtyre trupave t’u jepen detyra shtesë në fushën e sigurisë.
Komandanti i KFOR-it Yv de Kermabon, pas një vizite që i ka bërë sot Shtabit të TMK-së ka thënë se do të këshillojë shefin e UNMIK-ut që TMK-në ta ngarkojë me misione të tjera.
"Unë mund ta përkrah TMK-në në disa këshilla që mund t’i jap shefit të UNMIK-ut. TMK-së t’i jepen disa misione të cilat kanë të bëjnë më shumë me çështje teknike. Për shembull, dy javë më parë u është dhënë misioni i ruajtjes së deposë së municionit në Llukar," tha Yv de Kermabon, sipas të cilit TMK-ja përveçse është një institucion shumë i rëndësishëm në Kosovë, ka edhe rol stabilizues.
Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se së shpejti do të publikohet raporti tremujor i vlerësimit të përmbushjes së Standardeve për Kosovën, pjesë e së cilit do të jetë edhe TMK-ja. Raporti do t’i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan.




XS
SM
MD
LG