Ndërlidhjet

logo-print

AKSIDENT I RËNDË AUTOMOBILISTIK NË PUKË


Alma Çupi, Tiranë

Ditë e zezë sot për Kosovën dhe Shqipërinë. Të paktën 15 gjimnazistë të Malishevës, humbën jetën në mënyrë tragjike, dhe 37 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa po ktheheshin në shtëpi pas një ekskursioni pesë ditor në Durrës dhe Shkodër.
Një prej pesë autobuzëve të mbushur me nxënës u përplas me një automjet tip mercedes benc sot pasdite rreth orës 14.00, në vendin e quajtur Ura e Bicajve në Pukë. Autobuzi ra në një greminë rreth 100 metra dhe sipas të mbijetuarve dhe dëshmitarëve në vendgjarje, kanë humbur jetën gjimnazisët që ishin ulur në fund të tij. Ndihma e parë nxënësve ju është dhënë nga shokët që ndodheshin në autobuzë të tjerë. Më pas gjashtë helikopterë, makina të ushtrisë, trupa ushtarake dhe ekipe të mjekëve të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë mbërritur me urgjencë në vendgjarje dhe kanë transportuar me shpejtësi të plagosurit për në spitalin e Pukës, Shkodrës, Lezhës dhe 15 nxënësit në gjendje më të rëndë janë sjellë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Ministri i Shëndetësisë Leonard Solis, tha në linjë telefonike për Evropën e Lirë se gjendja e të plagosurve në Spitalin Ushtarak është jashtë rrezikut për jetën.
"Të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, por nën një mbiqyrje të rreptë janë nisur në spitalin e Lezhës dhe në spitalin e Shkodrës. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Edhe gjendja e të plagosurve të sjellë në spitalin civil është jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se është një person i goditur në kokë, por edhe ai është jashtë rrezikut për jetën."
Në autobuz ndodheshin rreth 50 të rinj së bashku me mësuesit. Autobuzi, sipas pamjeve filmike të dhëna nga televizionet shqiptare, është shkatërruar pothuajse tërësisht. Në orët e vona të pasdites ka nisur edhe identifikimi i nxënësve që humbën jetën, trupat e të cilëve janë vendosur në morgun e Spitalit të Pukës.
Për të vizituar të plagosurit ka mbërritur në Spitalin Ushtarak edhe ambasadori italian, i cili ka shprehur gadishmërinë për të ndihmuar në transportimin e të plagosurve drejt Italisë, nëse do të jetë e nevojshme. Ndërsa në vendgjarje kanë mbërritur Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe Ministri i Rendit Igli Toska. Zëdhënësi i Ministrisë së Rendit Florian Seriani, konfirmoi pak çaste më parë se të plagosurit mund të konsiderohen jashtë rrezikut për jetën.
"Vlen për t'u theksuar se kushtet e motit nuk kanë qenë të përshtatshme për helikopterët. Ka patur një mot me mjegull dhe mbi të gjitha vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë një terren malor dhe i vështirë për helikopterët. Ka nisur procesi i identifikimit të trupave. Mund të thuhet se për momentin situata e shëndetit të të plagosurve është nën kontroll".
Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, pak orë pas aksidentit, u shpreh se mjekë dhe forca nga të gjitha rrethet afër me Pukën, kanë mbërritur për t’u dhënë ndihmë të plagosurve.
"Këtu kanë mbërritur mjekë të spitalit të Shkodrës të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer, dhe po përplasen me kufijtë e njerëzores. Gjithshka do thoja është organizuar mjaft mirë. Vetëm desha të them se drama është shumë e madhe dhe tani që flasim kam parë rreth 15 kufoma."
Pritet që Shqipëria të shpallë një ditë zie kombëtare për këtë humbje tragjike të jetës së të rinjve të Malishevës. Aksidenti i sotëm është një nga më të rëndët që ka ndodhur në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG