Ndërlidhjet

EKSKURSIONI ISHTE NË PËRPUTHJE ME UDHËZIMET E MINISTRISË SË ARSIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Ekskursioni i maturantëve të gjimnazit "Abdyl Frashëri" të Malishevës, i cili u kthye në tragjedi pas aksidentit rrugor në Fushë-Arrëz , ku humbën jetën 16 maturantë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, ka qenë i organizuar në përputhje me udhëzimet administrative të ministrisë.
Çdo shkollë, sipas sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Arsimit, Jusuf Zenelit, vendos përmes një këshilli të saj që t’i dërgojë maturantët në Shqipëri në shtator ose tetor, gjë që ka ndodhur edhe me gjimnazistët e Malishevës.
"Sipas udhëzimit administrativ, neni 5, ekskursionet organizohen vetëm për vitin e fundit të shkollave të mesme dhe vendimin për shkuarjen në ekskursion e merr këshilli i shkollës, në të cilin marrin pjesë edhe prindërit e shkollës."
Zeneli thotë se edhe kompania që e bën transportimin e nxënësve caktohet përmes tenderit.
"Këto oferta i vlerëson një komision prej 3 anëtarësh, drejtori komunal i arsimit, drejtori i lartë rajonal i arsimit dhe drejtori i shkollës. Dhe këta vendosin në përputhje me udhëzimin administrativ, që kompania të jetë e licencuar, të ofrojë siguri teknike dhe profesionale dhe të gjitha çështjet e tjera teknike të sigurisë në rrugë", thotë Zeneli, sipas të cilit bartjen e përgjegjësisë në raste aksidentesh e caktojnë organet e rendit.
Por, koordinatori i Programit "Qeverisja dhe Udhëheqja" në Qendrën për Arsim të Kosovës, thotë se "vërshimi" i të gjithë maturantëve të shkollave kosovare për në Shqipëri në muajt shtator e tetor është një hap i gabuar, si për nga aspekti mësimor, ashtu edhe ai i sigurisë, gjë që sipas tij u dëshmua edhe me rastin tragjik të gjimnazistëve të Malishevës.
"Kjo është brengosëse dhe është pësim nga mësimi, sepse fundi i fundit ekskursioni nuk mund të organizohet vetëm në Shqipëri, por edhe vetë brenda Kosovës, sepse ka lokalitete të dobishme për nxënës, pa e përjashtuar mundësinë edhe jashtë Kosovës, por me një preventivë krejtësisht tjetër, organizim tjetër dhe kujdes tjetër".
Salihaj thotë se shtatori e tetori janë muajt në të cilët nxënësit nuk do të duhej të shkëputeshin nga mësimi.
"Sapo të arrihet një adaptim me plan programet e reja, sapo të hyhet në thelbin e lëndëve që mëson nxënësi, menjëherë organizohet ekskursioni në tetor. Dhe unë besoj se kjo i nxjerr nxënësit nga takti, nga skema e futjes thellë në dituritë që i ofron shkolla dhe i destabilizon ata."
Sidoqoftë Salihaj, thotë se në rast të ekskursioneve të tilla duhet të egzistojë një marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë, në mënyrë që të paktën organet e rendit të përcjellin përgjatë rrugës së vështirë nxënësit kosovarë, ashtu siç ndodh me përcjelljen e turistëve kosovarë gjatë sezonit veror.

XS
SM
MD
LG