Ndërlidhjet

HARADINAJ: OFROJMË QEVERISJE VEPRUESE DHE NEGOCIIM PËR ROLIN E BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE PAS STATUSIT PËRFUNDIMTAR


Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, me fillimin e fushatës parazgjedhore, kanë filluar të dëgjohen edhe vlerësimet se fjalori që politikanët kanë përdorur gjatë fushatës, nuk ka ndryshuar shumë nga ai që është përdorur në të kaluarën dhe se shumë pak është realizuar nga ajo që është premtuar. Çfarë përfitojnë qytetarët e Kosovës nëse votojnë për partinë tuaj?

RAMUSH HARADINAJ
Një qeverisje që do të jetë vepruese, që do të veprojë në dy prej drejtimeve kryesore: në drejtimin politik dhe institucional, në bërjen e Kosovës shtet, duke ndërmarrë veprimet e duhura në një periudhë kohore që për ne është dhe plan veprues kohor, dy marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare në kuadër të veprimeve tona politike, negociim për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas statusit përfundimtar, pra një mandat për sigurinë në Kosovë si NATO dhe një mandat për monitorim të institucioneve të Kosovës së pavarur në periudhën e parë të qeverisjes. Dhe në planin ekonomik që është gjithëpërfshirës, por që do të fokusohet në legjislacionin e nevojshëm për të mbështetur ekonominë vendore, në mobilizimin e potencialeve dhe burimeve natyrore, në qartësimin e titullarit të pronës në Kosovë dhe respektimin e të drejtës së pronës dhe në thithjen e kapitalit të huaj. DO të thosha për ekonominë, se ajo që do të jetë e veçantë nga ana e Aleancës, është që profesionistët do të jenë në vendet e duhura. Pra ne i ofrojmë qytetarëve të Kosovës një plan zhvillimor politik por edhe ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet që do të dalin prej votimeve të 23 tetorit, do të jenë edhe bartëse të zhvillimeve të vitit të ardhshëm, për kur është paralajmëruar edhe mundësia e fillimit të bisedimeve mbi statusin përfundimtar. A ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës një strategji të caktuar për të hyrë në këto bisedime?

RAMUSH HARADINAJ
Ne do t'i propozojmë bashkësisë ndërkombëtare arritjen e dy marrëveshjeve me bashkësinë ndërkombëtare pas statusit përfundimtar. Kjo do të thotë se ne do t'i propozojmë negociimin e raporteve të ndërsjella Kosovë-bashkësi ndërkombëtare dhe me këtë edhe fillimin e negociatave. Me arritjen e një harmonie, apo dakordimin e ndërsjelltë për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas statusit përfundimtar, që për ne kosovarët është pas pavarësisë, mendojmë se edhe janë mbyllur negociatat. Pra strategjia jonë është që do të negociojmë me bashkësinë ndërkombëtare për raportet dhe për bashkëpunimin e mëtejmë pas statusit përfundimtar dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë edhe procesin e përfshirjes në Kosovë të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve, në ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e rezultateve në planin "Standardet për Kosovën". Strategjia jonë është që rezultatet deri në maj në planin "Standardet për Kosovën", vazhdim i angazhimeve që të arrihen rezultate edhe më tej, marrëveshje dhe negociim me bashkësinë ndërkombëtare për rolin e bashkësisë ndërkombëtare pas statusit përfundimtar dhe vetëdeklarim për vullnetin tonë politik, që mendojmë se do të ndodhë në vjeshtën e vitit që vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, konkretisht si e shihni ju mënyrën e përcaktimit të statusit politik? Nëpërmjet ndonjë referendumi? Nëpërmjet ndonjë konference ndërkombëtare? Apo nëpërmjet një vendimi të prerë të komunitetit ndërkombëtar?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se është një kombinim i veprimeve. Ne duhet të vazhdojmë progresin në Kosovë, nëpërmjet planit të "Standardeve për Kosovën", dhe t'i dëshmojmë rezultatet e arritura, nëpërmjet ndërtimit politik dhe ndërmarrjes së veprimeve në institucionet e Kosovës dhe nëpërmjet negociimit me bashkësinë ndërkombëtare të rolit të bashkësisë ndërkombëtare, edhe në periudhën e kalimit nga pozicioni i tanishëm politik i Kosovës në republikë sovrane dhe të pavarur, dhe roli i bashkësisë ndërkombëtare më vonë dhe obligimet që ne do t'i marrim ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos ndaj synimeve tona integruese.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas trazirave të muajit mars, raportet ndëretnike pothuajse janë shndërruar në parakusht të zhvillimeve politike. Në këtë drejtim çfarë ofron partia juaj për pakicat ndërkombëtare, veçanërisht atë serbe?

RAMUSH HARADINAJ
Aleanca dhe unë personalisht do të punojmë që edhe serbët e Kosovës të jenë pjesë e ndërtimit të një Kosove demokratike. Pra modelin e përfshirjes dhe të pjesëmarrjes, në mënyrë që ato që i krijojmë në Kosovë t'i gëzojmë bashkarisht pa dallim. Pra ne do të jemi të vendosur që të mos krijohen vështirësi në përfitimin nga ajo që do ndërtojmë në Kosovë nga të gjithë, në të drejtën e lëvizjes, në të drejtën e kthimit, në të drejtën e pronës dhe liri të tjera për pakicat, por duke i ndërtuar këto të mira, këto të drejta bashkarisht do t'i gëzojmë bashkarisht. Ne jemi të bindur se mënyra e vetme që kjo të ndodhë me të vërtetë është pjesëmarrja dhe kontributi edhe i pakicës serbe për të ndërtuar një Kosovë funksionale demokratike si shoqëri, për të krijuar të mira ekonomike, që të mund t'i gëzojmë ato bashkarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të bindur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje ka patur ndikim të pjesërishëm. Sipas jush ku qëndron problemi?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se mungon një gadishmëri e politikës serbe, për këtë flas edhe në Kosovë, por edhe në Beograd, që të trajtohet në mënyrë të drejtë pozita e serbëve në Kosovë dhe interesi i tyre. Pra mendoj se mungesa e kësaj gadishmërie që t'i shërbehet interesit të serbëve të Kosovës ka sjellë deri tek një konfuzion. Sa i përket anës vendore kosovare, flas për liderët e partive politike dhe të institucioneve të Kosovës, ne jemi të qartë. Do të ndërtojmë një Kosovë demokratike. Të gjithë do të marrin pjesë në ndërtimin e saj dhe të gjithë do ta gëzojnë. Pra modeli i përfshirjes, pjesëmarrja, kontributi i secilit prej nesh për atë që do të arrijmë në Kosovë e natyrisht që të gjithë ta gëzojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, siç është bërë e zakonshme gjatë fushatave parazgjedhore, cila do të ishte porosia juaj për qytetarët?

RAMUSH HARADINAJ
Që të marrin pjesë në ndërtimin e Kosovës, që të ndërtojmë atë që ne kemi nevojë pra shtetin e Kosovës, ekonominë e Kosovës dhe ta gëzojmë së bashku. Marrja pjesë e qytetarëve është në shumë mënyra, por një mënyrë e drejtpërdrejtë në momentet zgjedhore është marrja pjesë në zgjedhje, pra votimi. Me këtë rast i ftoj qytetarët e Kosovës, të gjithë pa dallim që të votojnë ditën e zgjedhjeve, ndërsa unë i ftoj që të votojnë për numrin 44, sepse sikurse jam shprehur është adresa më e sigurt se pjesëmarrja e tyre në ndërtimin e asaj që synojmë në Kosovë do të japë edhe frytet e veta.

Intervistoi Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG