Ndërlidhjet

PETERSEN: TEKNIKISHT ÇDO GJË ËSHTË E GATSHME PËR ZGJEDHJE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Të gjitha përgatitjet teknike dhe përgatitjet e tjera logjistike për mbajtjen e zgjedhjeve të 23 tetorit për parlamentin e Kosovës janë kryer dhe Kosova është e gatshme për votimet e të shtunës, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, pas një vizite që i ka bërë Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili merret me përgatitjen teknike të zgjedhjeve të sivjetshme.
Zoti Petersen, në takimin me kryeshefin e Sekretariatit Adnan Merovci, gjatë të cilit ka qenë i pranishëm edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pascal Fieschi, ka thënë se përgatitjet kanë qenë efikase dhe janë kryer me përgjegjësi të lartë:
"Unë mund të them atë që e kam dëgjuar, që do të thotë se të gjitha përgatitjet logjistike janë bërë në mënyrën më të përgjegjshme dhe më efikase," tha zoti Jessen Petersen sot, kur Kosova ka hyrë në javën e fundit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet që do ta mbahen këtë të shtunë më 23 tetor.
Ai tha se ishte i kënaqur sidomos për pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve jo vetëm në garën zgjedhore, por edhe në gjithë procesin e zgjedhjeve:
"Jam sigurisht i kënaqur që të gjitha komunitetet marrin pjesë për t’u siguruar se në aspketin logjistik gjithçka është bërë si duhet," tha kryeadministratori Jessen Petersen, për të cilin këto janë zgjedhjet e para me të cilat po përballet në Kosovë që nga marrja e postit më të lartë në administratën e Kombeve të Bashkuara në gusht të këtij viti.
Zoti Petersen e çmoi si shumë të rëndësishme punën që ka bërë Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhje, pasi sipas tij, puna dhe përgjegjësia e këtij Sekretariati është me rëndësi të jashtëzakonshme në mënyrë që të gjithë të mund të shkojnë për të votuar dhe që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Për zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës konkurrojnë 33 entitete, përfshirë partitë politike, iniciativat qytetare, listat qytetare dhe kandidatët e pavarur nga të gjitha bashkësitë etnike të Kosovës.





XS
SM
MD
LG