Ndërlidhjet

logo-print

AAK PËRFUNDON FUSHATËN PARAZGJEDHORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dhënë fund sot fushatës së saj parazgjedhore në Prishtinë, duke u premtuar qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, përmbushjen e standardeve dhe pavarësinë, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e mjaftueshme për këtë.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se Aleanca ka punuar seriozisht për ndërtimin e programit zgjedhor dhe programit qeverisës dhe do të arrijë t’i jetësojë ato që janë planifikuar:
"U garantojmë qytetarëve të Kosovës vlerësimin pozitiv të standardeve në muajin maj. Ne kemi bërë gati dhe do t’i ofrojmë bashkësisë ndërkombëtare për negociim një marrëveshje për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas pavarësisë," tha Haradinaj, sipas të cilit negocitatat për statusin përfundimtar nuk i konsideron si negociata se a do të jetë Kosova e pavarur apo jo, por për modalitetet dhe mënyrat e kalimit të Kosovës nga pozita e tanishme në shtet të pavarur:
"Ne në AAK nuk kemi bërë gati negociata me shtetet fqinje për të drejtën tonë për vetëvendosje, pasi ajo është një e drejtë e njohur ndërkombëtarisht për të gjithë popujt që kanë luftuar për liri, janë administruar ndërkombëtarisht dhe kanë vetëvendosur për statusin e tyre politik", tha Haradinaj, duke ftuar qytetarët që t’i japin shans Aleancës dhe vetvetes për një qeverisje më të mirë të Kosovës. Ndërkaq, Bajram Kosumi, nënkryetar i kësaj partie, tha se qeverisja aktuale ka tabuizuar çështjen e zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së pagave, ndërkohë që këto, sipas tij janë probleme të zgjidhshme:
"Buxheti i Kosovës nuk është akull i ngrirë, por mund të rritet. Ai buxhet rritet jo duke e ngarkuar qytetarin me tatime të reja, por duke i ulur taksat dhe duke zgjeruar bazën e atyre që paguajnë taksa. Një numër i madh i qytetarëve nuk paguajnë taksa, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët. Ne do ta bëjmë të mundur që të gjithë të paguajnë taksa më të ulëta, por të paguajnë të gjithë," tha zoti Kosumi, ndërsa nënkryetari tjetër i AAK-së, Naim Maloku u përqëndrua në çështjet e sigurisë, që mundësojnë edhe zhvillimin ekonomik:
"Ne do të krijojmë siguri për qytetarët e Kosovës. Ne do të krijojmë siguri për pronën e tyre, të vetëdijshëm se ngritja e sigurisë është edhe parakusht themelor për fillimin e ngritjes dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës".
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte partia e tretë për nga votat e fituara në zgjedhjet e vitit 2001 për parlamentin e Kosovës dhe kishte dy ministra në qeverinë e Kosovës.






XS
SM
MD
LG