Ndërlidhjet

logo-print

SA KUSHTON FUSHATA PARAZGJEDHORE?


Albana Isufi, Prishtinë

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit, subjekteve politike që marrin pjesë në koalicionin e tanishëm qeveritar, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u ka kushtuar nga 90 deri në 250 mijë euro.
Ndërkohë, subjekti tjetër qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës sipas zyrtarit të saj Fatmir Rexhepit, ende nuk e ka bërë një vlerësim të tillë.
"Nuk e kemi ndonjë vlerësim sepse tani është herët dhe nuk ka ndonjë arsye që të bëhet vlerësimi. Në përfundim të saj do të grumbullojmë shënimet nga të gjitha degët dhe do të vlerësojmë se sa ka kushtuar fushata për një muaj", tha Rexhepi.
Ndërkaq shef i Shtabit Zgjedhor të PDK-së Xhavit Haliti, thotë se maksimumi i kostos së fushatës është 250 mijë euro.
"Besoj që me rreth 200 deri 250 mijë euro mund të përmbyllet e tërë fushata, duke mos llogaritur këtu punën që kanë bërë vullnetarët dhe ndihmat vullnetare që janë dhënë," tha Haliti.
Nga ana tjetër Alenanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas zyrtarit të saj Jahja Lluka, ka shpenzuar një shumë modeste parash.
"Fushata parazgjedhore AAK-së deri tani i ka kushtuar 90 mijë euro. Këtu nuk është llogaritur ndihma e donatorëve në mallra e natyrë, por shpresojmë që deri në fund do të rrumbullakësohet me 140 mijë euro. Mendojmë se kjo është shumë modeste duke marrë parasysh se të tjerët me siguri kanë harxhuar më shumë," tha Jahja Lluka.
Të gjitha partitë politike sipas zëdhënësit të OSBE-së, Sven Lindholm, janë të obliguara që të dorëzojnë dhe publikojnë raportet e tyre financiare në OSBE para fushatës dhe pas përfundimit të saj.
Sipas Lindholm-it ekziston kufiri se sa mund të shpenzojnë partitë politike në fushatën zgjedhore.
"I vetmi kufizim është kufizimi i shpenzimeve në fushatën zgjedhore dhe ai është caktuar dhe nëse partitë politike e kalojnë atë, atëherë ato mund të jenë subjekt i sanksioneve. Kufizimi është në mes të 600 dhe 650 mijë eurove. Nëse kalohet kjo shumë atëherë ndëshkimet do të vijnë nga Komisoni për Ankesa dhe Parashtresa," tha Lindholm.
Ndërkohë, subjektet politike thonë se më së shumti kanë shpenzuar në marketingun që e kanë bërë në mediat e shkruara dhe elektronike.
Lindholm thotë se besueshmërinë e raporteve financiare përfundimtare të partive politike do ta vërtetojnë auditorët.
“ Ne do t’i marrim raportet dhe do t’i krahasojmë me raportet e tyre financiare vjetore. Auditorët do të shikojnë raportet për të parë se çfarë është deklaruar dhe çfarë është shpenzuar," tha Lindholm.
Nga tre partitë e mëdha raport financiar para fushatës në OSBE kanë dërguar LDK dhe AAK, ndërsa sipas OSBE një gjë të tillë nuk e ka bërë PDK.




XS
SM
MD
LG