Ndërlidhjet

logo-print

NË VERI TË MITROVICËS SERBËT PROTESTOJNË KUNDËR PJESËMARRJES NË ZGJEDHJE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Disa organizata politike të serbëve të Kosovës, të cilat njihen si krahu radikal i politikës serbe, i kanë vazhduar edhe sot protestat kundër pjesëmarrjes së pakicës serbe në zgjedhjet e 23 tetorit. Në një tubim të mbajtur sot në pjesën veriore të Mitrovicës, kryetari i asociacionit që veten e quan, "Bashkësi e Komunave Serbe të Kosovës", Marko Jakshiç, i ka ftuar jo vetëm serbët, por edhe goranët, boshnjakët dhe romët, që të mos dalin në zgjedhje. Ai ka thënë para masës së tubuar se votat e pakicave, i duhen bashkësisë ndërkombëtare vetëm sa për të dalë në zgjedhje në mënyrë që t’i arsyetojnë, siç tha ai, krimet e bëra në Kosovë që nga viti 1999 e këndej. Ndërsa, kryetari i komunës së Zveçanit, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, Dragisha Millojeviç tha se këto zgjedhje janë në shërbim të legalizimit të projektit për Kosovën shtet të pavarur:
"Duam zgjedhje demokratike dhe të lira, kurse zgjedhjet e caktuara për muajin tetor nuk janë të tilla dhe se ato nuk janë zgjedhjet tona, por janë zgjedhje të shqiptarëve," tha Millojeviç.
Ndërkohë, administrata e UNMIK-ut tashmë ka reaguar ndaj këtyre subjekteve politike serbe, duke i quajtur ato, subjekte që nuk kanë arritur ende vlerat e demokracisë evropiane. Shefi i UNMIK-utSoren Jessen Petersen, ka pohuar dje se do të kërkojë nga KFOR-i dhe policia ndërmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë që të gjithë qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, pa u penguar nga askush. Kërcënimi dhe pengimi i tjetrit për të votuar, ka thënë Petersen, është akt jodemokratik dhe kundër ligjit dhe si të tilla edhe do të trajtohen përpjekjet eventuale të grupeve të pakicës serbe që t’i pengojnë bashkëkombasit e tyre të votojnë këtë të shtunë.





XS
SM
MD
LG