Ndërlidhjet

PDK MBYLL FUSHATËN ZGJEDHORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur sot në Prishtinë fushatën e saj për zgjedhjet e të shtunës për parlamentin e Kosovës, duke theksuar se këto zgjedhje janë referendum për Kosovën, statusi i të cilës do të jetë në pajtim me vullnetin e qytetarëve të saj.
Para disa mijëra pjesëmarrësve në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se vizioni i PDK-së është vizion i ecjes përpara:
"Vizioni i PDK-së është vizion për ecjen e Kosovës përpara. Është vizion që në vend të status-quo-s ofron ndryshime, garanton kushtetutë moderne, zhvillim të gjithëmbarshëm shoqëror, punë dhe dinjitet për të gjithë qytetarët, një vend jo vetëm të simboleve, por që ofron qeverisje të përgjegjshme dhe efikase."
Prandaj, zoti Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë, pasi këto janë zgjedhje vendimtare:
"Zgjedhjet e 23 tetorit do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme gjatë këtyre viteve të tranzicionit për Kosovën. Pas tyre, Kosova hyn në një fazë të rëndësishme për të ardhmen e saj – kjo është faza e përcaktimit të statusit politik të saj. Ne duhet të jemi të përgatitur më shumë se kurrë për ta përballuar me sukses këtë sfidë. Besimi i qytetarëve na obligon për këtë. Statusi i Kosovës duhet të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e Kosovës. Alternativë tjetër nuk ka për PDK-në dhe për popullin e Kosovës."
Ndërkaq, kryeministri aktual i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili njëherësh është kandidati me numrin dy për deputet nga kjo parti, tha se viti 2005 do të jetë vit i kthesës historike për Kosovën:
"Këto zgjedhje për ju dhe për Kosovën janë të rëndësisë së veçantë, sepse nuk janë zgjedhje vetëm për pushtetin qeverisës, por janë zgjedhje edhe për statusin final të Kosovës. Vota juaj do të jetë referendum për shtetin e Kosovës. Viti 2005 do të jetë vit i kthesës së madhe në historinë e Kosovës."
Kryeministri Rexhepi tha se udhëheqja e qeverisë nga ai dhe Partia Demokratike ka qenë e suksesshme:
"Përkundër kufizimit në kompetenca dhe faktit se çdo gjë ka nisur nga para, qeverisja e PDK-së ka qenë qeverisje e suksesshme".
Partia Demomkratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2001 ka qenë partia e dytë për nga votat e fituara dhe ka drejtuar qeverinë e koalicionit.






XS
SM
MD
LG