Ndërlidhjet

logo-print

SCHEFFER U BËN THIRRJE TË GJITHË KOSOVARËVE TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Augustin Palokaj, Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që nesër të dalin në zgjedhje.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës këtë të shtunë janë një hap i rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës. Institucionet kalimtare të qeverisjes së përkohshme, kanë nevojë për një përfaqësim sa më të gjerë që është e mundur dhe gjithëpërfshirës për të kryer punën e rëndësishme në mënyrë efektive, sidomos në muaj që do të vijojnë, ka porositur sot në deklaratën e tij shefi i NATO-s.
Thirrje të posaçme për pjesëmarrje në zgjedhje u ka dërguar edhe serbëve të Kosovës. Duke u përgjigjur në një pyetje se a kanë vërtet serbët e Kosovës arsye që të bojkotojnë këto zgjedhje, për shkak se nuk kanë kushte që të marrin pjesë në to, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë:
"Unë do t'u bëja thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Mendoj se është thelbësore që ta bëjnë këtë gjë dhe mendoj se KFOR-i është duke bërë gjithshka që është në mundësinë e tij që të sigurojë që të gjithë njerëzit në Kosovë të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta", ka thënë Jaap de Hoop Scheffer, duke shtuar se pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje, është thelbësore edhe për të ardhmen e Kosovës dhe është në të mirë të vetë serbëve, por edhe të shumicës shqiptare në Kosovë. Pjesëmarrja në zgjedhje është mënyra më e mirë që të dëgjohet zëri juaj dhe të promovohen interesat tuaja legjitime, ka porositur të gjithë kosovarët shefi i NATO-s.
Ai ka thënë se këto zgjedhje duhet të zhvillohen në mënyrë të qetë, sepse zhvillimi i tyre është duke u vëzhguar me vëmendje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Jaap de Hoop Scheffer ka porositur se KFOR-i do të kryejë tërësisht pjesën e vet të përgjegjësisë dhe do të sigurojë ambjent të sigurt në Kosovë, për ç'ka NATO edhe ka dërguar atje forca shtesë për të demonstruar aftësitë e saj, por edhe vendosmëri. Shefi i NATO-s i ka bërë sot këto prononcime, duke folur përpara gazetarëve së bashku me kryeministrin e Hungarisë. Kryeministri i ri i Hungarisë tha se vendi i tij si anëtar i NATO-s dhe i BE-së do të angazhohet më shumë në Ballkan si dhe do të vazhdojë të mbajë ushtarët e saj në misionet në këtë rajon.



XS
SM
MD
LG