Ndërlidhjet

PETERSEN: ZGJEDHJET E NESËRME JANË MË TË RËNDËSISHMET PREJ VITIT 1999


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë nga misioni civil administrues i Kombeve të Bashkuara dhe ata të forcës paqeruajtëse të KFOR-it, kanë vlerësuar sot se zgjedhjet e nesërme do të jenë jo vetëm sfidë, por edhe përcaktuese për të ardhmen e Kosovës. Një ditë para zgjedhjeve përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë thanë se gjithçka është gati për të filluar me votimet dhe i kanë ftuar me këtë rast të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin në votime.
Për shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen zgjedhjet e këtij viti janë më të rëndësishmet për Kosovën që nga viti 1999.
“Unë shpresoj se pas fushatës së qetë të mbajtur, nesër do të shoh zgjedhje të lira dhe të drejta, të tilla çfarë i duhen Kosovës. Kjo është ajo që Kosova ka nevojë dhe që populli i saj e meriton”, ka thënë Jessen Petersen.
Kuvendi dhe qeveria që do të dalin nga këto zgjedhje, sipas kryeadministratorit Petersen, do të jenë përgjegjëse për udhëheqjen e zbatimit të standardeve, që janë të domosdoshme për të ardhmen e Kosovës dhe për zbatimin e tyre në mënyrë që shqyrtimi të ndodhë në verën e vitit 2005. Qeverisë së Kosovës, Petersen i premtoi më shumë kompetenca pas zgjedhjeve. Ndërkohë që është shprehur i bindur se edhe një numër i serbëve të Kosovës do të dalin për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të rinj në institucionet e Kosovës.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali francez Yve de Kermabo, duke folur për aspektin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve, ka thënë se do të jetë e papranueshme për të gjithë që të lejojmë ekstremizmin të diktojë rregullat dhe t’ia ndalojë dikujt të drejtën e votimit.
“Secili ushtar i KFOR-it është plotësisht i përkushtuar në misionin e vet dhe ne kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë kosovarët që ditën e nesërme ta bëjmë një ditë madhështore”, tha komandanti i KFOR-it. Si ushtarakë ne duhet t’u përmbahemi rregullave të neutralitetit gjatë kësaj periudhe zgjedhore”, ka thënë gjenerali de Kermabon.
Rreth 18 mijë trupave të KFOR-it, ditëve të fundit u janë shtuar dhe 2 mijë trupa të tjera, në ndihmë për të siguruar një mjedis të qetë gjatë zgjedhjeve.
Ndërkohë, edhe shefi i Policisë së UNMIK-ut, Kai Vitrup, tha se nuk pret që nesër të ndodhin trazira apo probleme.
Vitrup tha se detyra kryesore e policisë së UNMIK-ut dhe Shërbimit Policor të Kosovës, të mbështetur edhe nga KFOR-i, është që të krijojë një ambjent të qetë dhe të sigurt dhe të sigurojë sundimin e ligjit.
“Ne këtë e bëjmë me një nivel të lartë të gatishmërisë dhe strategjia jonë është që SHPK-ja të jetë në rolin udhëheqës."
Ndërkohë, shefi i Misionit të OSBE-së, i siguroi përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë dhe elektoratin e Kosovës, se OSBE si organizuese e zgjedhjeve i ka kryer të gjitha përgatitjet dhe se gjithçka është gati për hapjen e votimeve, nesër duke filluar nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 20 të mbrëmjes kur vendvotimet do të mbyllen.
Ambasadori Fieski është shprehur se mbi 13 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë tashmë janë akredituar për të mbikëqyrur ecurinë e zgjedhjeve të nesërme.



XS
SM
MD
LG