Ndërlidhjet

1.4 MILIONË VOTUES ZGJEDHIN MES 33 SUBJEKTEVE KUVENDIN E RI TË KOSOVËS


Janë hapur në të gjithë Kosovën vendvotimet dhe votimet kanë filluar sipas planit në orën shtatë të mëngjesit e do të jenë të hapura deri në orën tetë të mbrëmjes, kanë deklaruar zyrtarët e OSBE-së dhe disa misioneve vëzhguese.
Adnan Merovci, kryeshef i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se deri më tash janë hapur të gjitha vendvotimet në gjithë Kosovën dhe nuk ka asnjë problem, përfshirë edhe vendbanimet serbe. Edhe zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm tha se njoftimet e para tregojnë se gjithçka po shkon si duhet.
33 subjekte politike me 1'315 kandidatë presin sot votat e rreth 1 milion e ka 400 mijë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote, për të udhëhequr institucionet e Kosovës, mandati i të cilave është zgjatur nga tre në katër vjet. Sot në Kosovë janë hapur 566 qendra votimi me gjithsej 1622 vendvotime. Në Serbi dhe në Mal të zi ndërkaq do të jenë të hapura 20 qendra votimi me 115 vendvotime.
Zgjedhjet e sivjetshme, të katërtat me radhë dhe të dytat për parlamentin e Kosovës, do të vëzhgohen nga 13 mijë vëzhgues, 250 prej të cilëve do të jenë pjesë e vëzhguesve të huaj, ku bëjnë pjesë Misioni Vëzhgues i Këshillit të Evropës, i BE-së dhe Parlamentit Evropian, si dhe vëzhguesit e shteteve që kanë zyrat në Kosovë. Në pjesën e vëzhguesve vendorë, pos vëzhguesve të partive politike do të jenë edhe vëzhguesit e Këshilit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe rrjeti i organizatave joqeveritare.
Deri tani votën e tyre e kanë hedhur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në orën tetë ka votuar në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi që ka votuar në orën 8.30 në shkollën fillore Faik Konica. Në orën 9:00 në sallën 1 tetori voton bartësi i listës qytetare “Ora”, Veton Surroi. Presidenti aktual i Kosovës Ibrahim Rugova voton në orën 10:00 në shkollën fillore "Iliria", ku voton edhe kryetari i deritashëm i parlamentit Nexhat Daci. Ndërkaq, kryeministri aktual, Bajam Rexhepi do të votojë në vendlindjen e tij në Mitrovicë. Po në Mitrovicë, por në pjesën veriore do të votojë edhe bartësi i "Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë", Oliver Ivanoviq. Sipas rregullave të OSBE-së, heshtja parazgjedhore e filluar dje në orën shtatë të mëngjesit vazhdon edhe sot deri në përfundim të votimeve në orën 20, kohë gjatë të cilës personat dhe subjektet e përfshira në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë madje as të ftojnë qytetarët për të votuar.

Ndërkaq, siç kanë njoftuar zyrtarët e OSBE-së, rezultatet e para preliminare të votimeve të sivjetshme për Parlamentin e Kosovës nuk do të jepen zyrtarisht përpara pasdites së të hënës, ndërkohë që për rezultatet përfundimtare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka lënë vetes një hapësirë kohore që nga 29 tetori e deri më 7 nëntor.
Mirëpo, si edhe herat e tjera, vëzhguesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe rrjeti i organizatave joqeveritare të Kosovës pritet që qysh sonte në orët e vona të natës të dalin me rezultatet e para preliminare, të përllogaritura sipas mostrave që në zgjedhjet e shkuara kanë qenë relativisht të sakta. Informacione preliminrare mund të priten në orët e para pas përfundimit të votimeve edhe nga vetë shtabet e partive politike, të cilat kanë përfaqëuesit e tyre në këshillat e votimeve, ku fillimisht do të numërohen votat, para se të dërgohen në qendrën për numërimin e votive, ku do të shtohen edhe votat me kusht, votat nga jashtë dhe votimet përmes postës.


Përgatiti: Rrahman Pacarrizi
XS
SM
MD
LG