Ndërlidhjet

logo-print

MEROVCI: 5% E ZGJEDHËSVE KANË VOTUAR NË ORËT E PARA TË MËNGJESIT


Që nga ora shtatë e mëngjesit në Kosovë janë hapur 1622 vendvotimet dhe se gjatë tri orëve të para, votimet kanë kaluar me një përgjigje relative të elektoratit dhe pa asnjë incident, kanë njoftuar Sekretariati i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Misioni i OSBE-së dhe Policia e UNMIK-ut. Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Adnan Merovci, tha se vendvotimet kryesisht janë hapur me kohë, kurse në disa raste për arsye objektive apo subjektive ka pasur disa vonesa, por që sipas tij, nuk kanë refleksion në procesin e rregullt të votimeve.
“Deri në orën 09:45 mund të them se diku rreth 5 përqind të votuesve të përfshirë në listat e votuesve kanë votuar. Mund të them se nuk ka asnjë komunë që nuk ka asnjë votues. Domethënë, ky numër i përfshinë të 30 komunat, dhe secila komunë ka votues që kanë votuar”, tha Merovci.
Ndërkohë, që nga ora 7 e mëngjesit, në Serbi e Mal të Zi janë hapur 14 nga 15 qendrat e votimeve, ngase në një vendvotim, në Serbi në rajonin e Jagodinës, sipas zyrtarit zotit Lars Largersgren, nuk është hapur, për shkak të protestave që po mbahen në afërsi të qendrës së votimit:
"Një vendvotim nuk është hapur ende për shkak të protestave. Nuk bëhet fjalë për ndonjë incident, kurse negociatat po vazhdojnë që edhe atje të hapet qendra e votimit", tha zoti Largersgrin.
Ndërkohë, zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, Neraj Nsing, tha se deri më tash në territorin e Kosovës nuk janë shënuar kurrëfarë incidente. Ndërkaq Adnan Merovci tha se në Kosovë, në të gjitha lokalitetet, pra edhe në ato me shumicë serbe, ka votues, pavarësisht se bëhet fjalë për një numër simbolik tëtyre.

Zijadin Gashi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG