Ndërlidhjet

SHKALLË E ULËT E PJESËMARRJES SË SERBËVE NË VOTIMET NË VERI TË MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Deri në orët e para të pasdites 19 mijë persona kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në komunën e Mitrovicës. Në pjesën veriore të Mitrovicës, për deputetët e Kuvendit të Kosovës, deri tani kanë votuar vetëm 17 serbë.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili ka votuar sot në pjesën jugore të qytetit, ka deklaruar se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe se fushata ka kaluar në një atmosferë të qetë dhe korrekte.
Kryeministri ka thënë se është i kënaqur që zgjedhjet po zhvillohen pa probleme. Ai ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje.
I pari në pjesën veriore të Mitrovicës sot ka votuar bartësi i "Listës për Kosovën e Metohinë" Oliver Ivanoviç. Ai ka thënë se sot kanë fituar moralisht ata që kanë pasur forcë që me dorën e tyre të vendosin për fatin e tyre.
Ivanoviçi ka akuzuar qeverinë serbe se po i pengon ata që mendojnë ndryshe.
"Është e drejtë e çdo serbi të votojë dhe të deklarohet. Familjeve të të humburve dhe të kidnapuarve nuk do t’u jepet asnjë informacion, nëse nuk mund të flitet në emër të tyre. Është e qartë se nuk ka zgjidhje tjetër vetëm se me forcat tona dhe me energjitë tona ta pranojmë përgjegjësinë për të ardhmen", tha Ivanoviç.
Menjëherë pas Ivanoviçit kanë votuar edhe tre gra serbe, të cilat thonë se nuk presin ndryshime të mëdha pas zgjedhjeve.
"Asgjë të veçantë, vetëm po shkoj dhe mendoj se serbët ndoshta duhet që për ndryshime të punojnë diçka nga ajo që ata mendojnë se është e drejtë dhe jo të vazhdojnë të kundërshtojnë. Mendoj se pas zgjedhjeve gjërat do të jenë më në rregull, sepse deri tani të tjerëve u kemi shërbyer dhe veten e kemi dërguar në katastrofë".
Bashkëvendasja e saj mendon ndryshe.
"Unë vërtet shpresoj do të bëhet më mirë, nëse ka gjasa që këto zgjedhje të kenë sukses".
"Nuk kam ç'të pres, vetëm po e kryej obligimin tim", thotë një grua tjetër serbe.
Përndryshe në këtë pjesë të Kosovës, zgjedhjet po mbahen pa incidente, ndërsa ekipet ndërkombëtare të policisë po qëndrojnë afër vendvotimeve.


XS
SM
MD
LG