Ndërlidhjet

logo-print

BE, NATO SHPREHIN KËNAQËSI QË ZGJEDHJET PO KALOJNË NË QETËSI


Augustin Palokaj, Bruksel

Ndërkohë që në Kosovë qytetarët vazhdojnë të votojnë për zgjedhjet e dyta parlamentare të vendit, zyrtarët ndërkombëtarë në Bruksel si në selinë e Bashkimit Evropian ashtu dhe të NATO-s, shpresojnë që dalja në votime të jetë sa më masive, sidomos që sa më shumë përfaqësues të komunitetit serb të votojnë. Për momentin BE-ja ende shpreh keqardhje për faktin se një numër i madh i liderëve të Serbisë, në vend që t'i ftojnë serbët e Kosovës të dalin në zgjedhjet e sotme, kanë bërë të kundërtën duke i ftuar ata t'i bojkotojnë ato. Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s edhe në ditën e zgjedhjeve kanë pohuar se mënyra më e mirë për secilin qytetar të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, që të sigurojnë që të dëgjohet edhe zëri i tyre, kur të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen, është që të dalin në votime. Zhvillimi i qetë i zgjedhjeve dhe shmangia e incidenteve ishte dëshira prioritare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, prandaj në këto momente, janë të lumtur se gjithshka në Kosovë po kalon në qetësi. Zyrtarët në Bruksel pohojnë se pas mbarimit të zgjedhjeve, sytë e BE-së dhe të NATO-s, sikurse edhe të shteteve të tyre anëtare, do të jenë të drejtuar nga liderët e Kosovës, partitë e të cilëve do të fitojnë më së shumti vota. Bashkimi Evropian siç kishin porositur edhe më parë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare përmes konkluzave zyrtare, pret që pas këtyre zgjedhjeve të formohet më shpejt qeveria e Kosovës, e cila duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe e gatshme të marrë përgjegjësitë e reja dhe të përmbushë standardet e duhura, që do ta çojnë Kosovën drejt përcaktimit të statusit përfundimtar. Deklarimet e zyrtarëve të BE-së apo NATO-s për zgjedhjet në Kosovë mund të priten vetëm pasi të mbyllen vendet e votimeve dhe ato do të jenë kryesisht të lidhura me mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Sa u përket vetë rezultateve të zgjedhjeve të sotme, Bashkimi Evropian dhe NATO thonë se nuk do t'i komentojnë ato derisa të shpallen rezultatet përfundimtare zyrtare.



XS
SM
MD
LG