Ndërlidhjet

PJESËMARRJE E ULËT NË TRE QYTETE KU JETOJNË SERBËT


Bekim Bislimi, Graçanicë

Në tre qëndra votimi në Graçanicë, në Lapnasellë të banuara me popullatë shumicë serbe, si dhe në Lipjan ku jeton një numër i serbëve, që nga ora shtatë kur janë hapur vendvotimet e deri në orën njëmbëdhjetë, është shënuar vetëm një rast i hedhjes së votës nga serbët. Danillos Smiliç, mbikqyrës i vendvotimit në Graçanicë, tha se qëndra e votimit ishte hapur me kohë por deri në orën dhjetë votues nuk ka patur.
"Deri tani nuk ka patur votues. Askush nuk ka ardhur dhe pritet që pjesëmarrja e qytetarëve në votime të jetë e dobët", tha zoti Smiliç. Ndërkaq Sandra Markoviç, vëzhguese në këtë vendvotim, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, theksoi se kushtet për votim të lirë ishin përmbushur.
" Kushtet janë të rregulluara dhe njerëzit munden lirisht dhe pa probleme të votojnë, por unë mendoj se nuk do të ketë votues", tha zonjusha Markoviç.
Arsyet se pse nuk votonin disa qytetarë serbë në Graçanicë i ndërlidhnin me ngjarjet e marsit.
Dushanka Cfejç, thotë se shtëpia e saj në Fushë-Kosovë e dëmtuar gjatë ngjarjeve të marsit, ende nuk është riparuar.
" Nuk mund të votoj përderisa askush nuk dëshiron të më ndihmojë. Nëse duan të më ndihmojnë unë do të votoja dhe qëndroj prapa kësaj që them", tha zonja Cfejç. Dushan Vasiç tha se as ai nuk do të votonte. "Nuk do të votoj sepse nuk kemi liri. Unë jam nga Obiliqi dhe nuk kam liri. Së pari le të më kthejnë në Obiliq pastaj do të votoj", tha zoti Vasiç.
Një vendvotim është hapur edhe në Lapnasellë dhe Snjezhana Gjokiç, mbikqyrëse në këtë vendvotim tha se deri në orën 10:30, asnjë qytetar serb nuk kishte votuar.
" Presim që votuesit të vijnë në orët e pasdites, pasi këto janë mjedise fshatare dhe njerëzit më shumë interesohen për bujqësinë sesa për politikën. Ata së pari do t'i kryejnë punët e tyre. Të paktën kështu shpresojmë dhe presim të ndodhë", tha zonja Gjokiç.
Në vendvotimin 13/11 në Lipjan, i cili është hapur për të votuar qytetarët serbë, mbikqyrësi i tij Millutin Simijunoviç, tha se deri në mesditë nuk ka votuar asnjë serb.
"Askush nuk ka votuar deri tani. Nuk di, por ky është vullneti i lirë i qytetarëve dhe ne nuk mund t'i detyrojmë ata," tha zoti Simijunoviç. Sidoqoftë në këto vendvotime sipas mbikqyrësve të tyre deri tani nuk është shënuar asnjë incident. Ndërkaq deri në orën dy, sipas Adnan Merovcit, kryetar egzekutiv i Sekretariat të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përgjithësisht pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e sotme në Kosovë, ka qenë jo e kënaqshme.
" Nuk mund të them për ndonjë shifër sepse ende nuk i kemi përpunuar, por në aspektin teknik punët po mbahen mirë dhe besoj që gjithëpërfshirja edhe nga votuesit do të realizohet, edhe pse deri tani në numër jo të mjaftueshëm dhe jo të kënaqshëm".


XS
SM
MD
LG