Ndërlidhjet

PJESËMARRJA NË ZGJEDHJE 30 % DERI NË ORËN 14: 00


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyrtarët e Misionit të OSBE-së dhe ata të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe policisë së UNMIK-ut, kanë paraqitur një pasqyrë të rrjedhës së votimeve të sotme. Kështu deri në orën 14, rreth 30 % e elektoratit të Kosovës ka dalë në votime, ka thënë Kryetari Egzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Adnan Merovci. Ai tha se beson se deri në orën 20:00, kur do të mbyllen vendvotimet, kjo përqindje do të rritet dukshëm. Ndërkohë zëdhënësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Sven Lindholm, vetëm ka hedhur poshtë disa shkrime në media e agjenci të ndryshme, ku thuhet se janë shënuar disa probleme gjatë votimeve, probleme në të cilat është i përfshirë dhe personeli i OSBE-së. Këto informacione nuk janë të sakta, ka thënë Sven Lindholm.
Nga ana tjetër pjesëmarrja e serbëve në përgjithësi, sipas autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare është shumë e ulët, edhe pse nuk publikohen shifra apo përqindje nga qendrat e banuara me shumicën serbe në Kosovë. Kurse sipas zotit Lars Langersgrin, i cili është i angazhuar që t'i përcjellë votimet në Serbi dhe Mal të Zi, sikurse edhe në orët e paradites, sërisht përsëriti se para një qendre të votimit në Serbi, në rajonin e Jagodinës, ende është duke u protestuar nga disa qytetarë. Kështu që refugjatët serbë të strehuar atje, nuk kanë patur rastin që të votojnë. Kurse në 14 qendra të tjera të votimit në Serbi dhe Mal të Zi, nuk janë shënuar probleme, ka thënë ai. Por në përgjithësi raportimet zyrtare të bëra të ditura deri tani, flasin për pjesëmarrje të ulët të serbëve në votime, jo vetëm në Kosovë, por edhe për të zhvendosurit të strehuar në Serbi e Mal të Zi.
Ndërsa zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Singh tha se në përgjithësi zgjedhjet po kalojnë pa ndonjë problem, sa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë, përveç disa rasteve, sipas tij, të izoluara. Kështu si pasojë e disa mosmarrëveshjeve dhe përleshjeve të vogla, policia ka arrestuar deri tani 4 persona. Incidenti i parë tha zoti Singh ka ndodhur në Ferizaj, ku ka patur një përleshje ndërmjet simpatizantëve të partive të ndryshme. Ky incident, tha ai, ka përfunduar me disa lëndime të vogla të personave që u përleshën. Po kështu edhe në Gjilan, ka thënë Singh, një person nuk ka paraqitur dokumente për votim dhe është shkaktuar një problem i vogël. Megjithatë, ka thënë ai, policia është në çdo vendvotim për të garantuar ditë të qetë të votimeve. Ndërkohë zëdhënësi Singh nuk ka mundur t'i konfirmojë apo t'i hedhë poshtë disa raportime në media të ndryshme, se ndaj disa pjesëtarëve të pakicës serbe, ka patur kërcënime serioze nga ana e bashkëkombasve të tyre, për të mos votuar. Ka informacione të tilla, ka thënë zoti Singh, por policia ende nuk i ka konfirmuar ato.

XS
SM
MD
LG