Ndërlidhjet

PETERSEN: KOSOVA SOT KA DËRGUAR NJË SINJAL SHUMË TË MIRË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova i ka dërguar sot bashkësisë ndërkombëtare një sinjal të mirë dhe ka arritur të fitojë një kredi të mirë, duke mbajtur votime të organizuara jashtëzakonisht mirë, ka thënë sonte në mbrëmje shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, duke u shprehur i befasuar për pjesëmarrjen e vogël të serbëve, një pjesë e të cilëve sipas tij, janë kërcënuar nga ata që janë kundër zgjedhjeve. Këto vlerësime zoti Jessen Petersen i ka bërë në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë, pasi ka vizituar vendvotimet në disa qytete të Kosovës.
Kjo ishte një ditë e organizuar jashtëzakonisht mirë dhe e gjitha është organizuar në mënyrë shumë profesionale, tha Jessen Petersen:
"Ajo që kam parë deri tani është se kjo është një kredi e mirë për Kosovën, për Komisionin Qendror, OSBE-në dhe mbi të gjitha për qytetarët dhe votuesit e Kosovës," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen.
Ai tha po ashtu se nuk kishte pritur pjesëmarrje të madhe të serbëve. Shihet që është një pjesëmarrje e vogël dhe kjo, sipas zotit Jessen Petersen, para së gjithash ka të bëjë me faktin se subjektet serbe që vendosën të marrin pjesë në zgjedhje, e bënë këtë me vonesë të madhe, që nuk u lejoi t’u shpjegojnë njerëzve se përse duhet të votohet:
"Shihet qartë se shumë serbë kanë vendosur të mos votojnë dhe kjo është e drejtë e tyre dhe së dyti ka të tillë që kanë vendosur t’ua rrëmbejnë të tjerëve të drejtën për të votuar," tha Jessen Petersen, për të shtuar se këta persona kanë frikësuar serbët që kanë dashur të votojnë. Prandaj tha Petersen unë dua të bashkëpunoj jo vetëm me ata që kanë votuar, por edhe me ata që nuk kanë mundur të votojnë dhe e rëndësishmja është se ne kemi një pjesëmarrje të serbëve edhe në garën zgjedhore, edhe në votime. Në këtë mënyrë, tha Jessen Petersen, do të kemi serbë të zgjedhur që do të jenë pjesë e dialogut dhe e institucioneve.
Ndërkohë përfaqësuesi i "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë" Rangjel Nojkiç, i cili ka votuar në shkollën e Graçanicës, tha se synimi i tyre është të përmirësimi i pozitës së serbëve:
"Duam të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët shumicë në parlament vërtet duan Kosovën shumëetnike apo kjo është vetëm një farsë. Pra këto zgjedhje dhe institucionet njëkohësisht do të jenë një test për vullnetin e tyre", tha Nojkiç.
Sot paradite kanë votuar edhe kryetarët e partive kryesore politike. Në deklaratat e tyre ata kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve për fazën në të cilën po hyn Kosova, që sipas tyre, është fazë e fillimit të përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.
Presidenti aktual i Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili votoi në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë, tha se zgjedhjet janë të rëndësishme:
"Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Pra, të një Kosove të pavarur e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i bindur se sot do të votojnë të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, pasi këto zgjedhje janë me rëndësi për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë, për zhvillimin, prosperitetin dhe demokracinë tonë të tanishme dhe për brezat e ardhshëm që vijnë pas nesh", tha zoti Rugova, duke përgëzuar dhe lavdëruar qytetarët dhe partitë politike për fushatën e qetë dhe të drejtë. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili herët në mëngjes ka votuar në shkollën fillore "Faik Konica", tha:
"I uroj të gjithë popullit të Kosovës zgjedhjet e përgjithshme 2004. Janë zgjedhje të rëndësisë historike. Uroj që qytetarët si gjithmonë të bëjnë ndryshime edhe më rrënjësore kësaj radhe."
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se mënyra më e mirë për ndryshime është përdorimi i të drejtës për të votuar:
"Në radhë të parë u uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës zgjedhjet e dyta parlamentare. Uroj që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Na presin shumë punë në Kosovë. E kemi Kosovën për ta zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht. Mendoj se mënyra për t’i dhënë drejtim është përdorimi i të drejtës së votës. Unë pres të ndryshojë për të mirë dinamika e zhvillimeve në Kosovë," tha zoti Haradinaj.
Zoti Jessen Petersen, madje që para përfundimit të votimeve, i ka quajtur ato të suksesshme, pavarësisht nga bojkoti i serbëve:
"Kjo nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me një grup të vogël, por ka të bëjë me Kosovën dhe mendoj se Kosova sot ka dërguar një sinjal shumë të mirë," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, i cili gjithë ditën e sotme e ka kaluar duke vizituar vendvotimet.


XS
SM
MD
LG