Ndërlidhjet

PJESËMARRJE E KËNAQSHME NË VOTIME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Aktualisht të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur. Kryeshefi egzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Adnan Merovci, aktualisht disponon vetëm të dhënat për pjesëmarrjen deri në orën 18:00. Deri në këtë orë, thuhet se kanë dalë në votime diku rreth 43.13 përqind e votuesve. Mirëpo, sipas zotit Merovci, pritet që rezultatet përfundimtare të përqindjes së votuesve të kalojnë 50 përqindëshin e votuesve të regjistruara, pasi në orët e mbrëmjes, thuhet se është vërejtur një dalje më masive e qytetarëve nëpër vendvotime. Pikërisht për faktin se në vendvotime të caktuara kishte radhë orët e mbrëmjes, shumë prej tyre nuk janë mbyllur në orën 20:00 siç ishte paraparë, duke u dhënë kështu rastin qytetarëve që të votojnë edhe pas kësaj ore. Të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen në zgjedhje, pritet të publikohen sonte, diku para orës 22:00.
Nga ana tjetër përqindja e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës është shumë simbolike. Madje, deri para pak çastesh flitej për shifra shumë të vogla votuesish, saqë organizata vëzhguesish të zgjedhjeve konsideronin se bëhet fjalë më tepër bojkot, sesa për përgjigje të vogël për të marrë pjesë në zgjedhje. Gjendje e njëjtë, thuhet se ka qenë dhe në qendrat e votimeve në Serbi e Mal të Zi. Autoritetet e OSBE-së dhe ato të Komisariatit të Lartë për Refugjatët, kanë njoftuar se një vendvotim në Serbi, në rajonin e Jagodinës është hapur diku pas orës 17:00, për shkak të protestave që zhvilloheshin para qendrës së votimit. Por, sidoqoftë, edhe në Serbi e Mal të Zi, ku jeton numër i konsiderueshëm i votuesve të regjistruar për zgjedhjet në Kosovë, dalja e tyre në votime ka qenë tepër e ulët.
Sa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë, ajo ka qenë në nivel dhe nuk është kërcënuar në asnjë rast, ka thënë zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, Neeraj Nsing. Sipas tij, kishte disa incidentete të vogla, në Ferizaj, Gjilan dhe disa qendra të tjera, por që nuk kanë ndikuar në ecurinë apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. Sidoqoftë, tani është faza kur pritet që Komisionit për Ankesa e Parashtresa t’i parashtrohen vërejtjet, jo vetëm për incidente, por më tepër për parregullësi eventuale. Zoti Merovci, tha se pas mbylljes së vendvotimeve, fillon faza kur partitë politike, organizatat joqeveritare e subjektet e tjera, fillojnë parashtrimin e ankesave, kuptohet nëse kanë përse të ankohen.


XS
SM
MD
LG