Ndërlidhjet

BE, NATO: NUK NDRYSHON KURSI I BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Ndonëse të dëshpëruar për mosdaljen e serbëve në këto zgjedhje dhe për daljen e vogël të shqiptarëve në përgjithësi, si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, ashtu dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana, janë shprehur se duhet vazhduar puna që ka filluar bashkësia ndërkombëtare së bashku me kosovarët në Kosovë. Ata kanë folur së bashku para gazetarëve, pas një takimi të Këshillit të NATO-s dhe Komitetit për Siguri të Bashkimit Evropian, të zhvilluar sot në Bruksel. Solana tha së pari se duhen nënvizuar anët pozitive të zgjedhjeve, sidomos faktin se teknikisht ato u zhvilluan në mënyrë të përsosur, ndërsa atmosfera ka qenë e qetë dhe pa incidente. Solana më tej vazhdoi:
"Dalja ishte e vogël nga të dyja palët, shumë më e ulët sesa ç'është pritur, sidomos jemi të zhgënjyer për mosdaljen e serbëve në to, por nuk mendoj se kjo do duhet të ndryshojë qëllimet tona që i kemi patur më herët para këtyre zgjedhjeve".
Më tej Solana ka insistuar se u duhet dërguar mesazh i qartë edhe institucioneve të reja të Kosovës.
"Obligimi i autoriteteve kalimtare të Kosovës do të jetë që të vazhdojnë me të njëjtën linjë ashtu si institucionet e mëparshme, të orvaten të garantojnë standardet dhe ato siç e dini kërkojnë mbrojtjen e sigurimin e pakicës serbe. Të gjitha planet e decentralizimit duhet të vazhdojnë dhe të gjitha elementet e procesit të standardeve duhet të vazhdojnë", ka thënë Solana, duke shtuar se në parim këto zgjedhje nuk do të duhej të pengojnë as vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse procesi duhet të vazhdohet në të mirë të të gjithëve.
Mendime të njëjta me shefin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së i ka shprehur sot në NATO, edhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Aleance Jaap de Hoop Scheffer, duke shtuar se presin që institucionet që do të krijohen tani në Kosovë, të përfaqësojnë të gjithë spektrin politik të shoqërisë kosovare.
"Institucionet kalimtare të Kosovës duhet ta dinë se zgjidhja për Kosovën do duhej të ishte një zgjidhje që do të mbështetet edhe nga shumica edhe nga pakica. Posaçërisht ky është një përfundim që duhet ta kenë parasysh të gjithë, sidomos pas ngjarjeve të marsit", tha shefi i NATO-s.
Zyrtarët në NATO dhe BE presin të shohin nëse do të pranojnë kandidatët serbë që u kandiduan në zgjedhje, të kyçen në institucionet e Kosovës, dhe nënvizuan nevojën për mbështetjen e madhe, që të gjithë duhet t'i japin tani shefit të UNMIK-ut Petersen në ditët që vijnë.







XS
SM
MD
LG