Ndërlidhjet

MACSHANE: STATUSI I ARDHSHËM I KOSOVËS DUHET TË JETË NDËRVARËSIA ME BASHKIMIN EVROPIAN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë ndërvarësia si pjesë e Evropës moderne, ka thënë sot në Prishtinë Ministri për Evropën në Qeverinë britanike, Denis MacShane. Zoti MacShane që gjatë ditës ka takuar të gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës dhe shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, tha se ndërvarësia do të thotë integrim në Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me ndihmën e ndërsjellë dhe varësinë e ndërsjellë ndëmjet vendeve. Për këtë, tha MacShane është hapur rruga me mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa institucionet e reja duhet të merren me përmbushjen e standardeve:
"Dua t’i shoh standardet të përmbushura sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të shkojmë drejt diskutimit të statusit të Kosovës, që mendoj se të gjithë duam që ajo të jetë një ndërvarësi," tha MacShane, duke shpjeguar se është fjala për një mënyrë të shkuarjes së Kosovës në Evropën moderne, ku ekziston një varësi e ndërsjellë ndërmjet të gjitha vendeve anëtare.
Bashkëbiseduesi i tij i parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, si forca e dytë politike e dalë nga zgjedhjet e të shtunës, tha se kosovarët e dhanë edhe një dëshmi tjetër se janë të përgatitur për procesin demokratik dhe për të marrë më shumë kompetenca në kuadër të institucioneve.
"Rezultati i zgjedhjeve është i pranueshëm nga i gjithë spektri politik kosovar dhe jam shumë optimist se në të ardhmen e afërt do të ndërtojmë institucione efektive dhe stabile, shumëpërfshirëse dhe shumë-etnik,e që do të garantojë suksesin dhe stabilitetin për Kosovën"
Zoti MacShane tha me këtë rast se është me rëndësi që UNMIK-u të bartë sa më shumë kompetenca tek institucionet vendore, gjë që sipas tij është politikë e vazhueshme e qeverisë britanike:
"Do të doja të shihja që UNMIK-u bart sa më shumë kompetenca që të jetë e mundur sa më shpejt, pasi mënyra e vetme për t’i bërë njerëzit të përgjegjshëm është t’u japësh përgjegjësi," tha MacShane, sipas të cilit këto përgjegjësi do të duhej të ushtroheshin përgjegjshëm:
"Duhen krijuar garancione se asnjë serb i Kosovës nuk duhet të punojë me frikë dhe të mos brengoset se kishat apo shtëpitë e tyre mund të shkatërrohen", tha ministri britanik MacShane. Duke komentuar ndërkaq mospjesëmarrjen e serbëve ai tha se kjo është në rregull dhe se gjëra të tilla ndodhin në gjithë botën:
"Njerëzit mund të mos votojnë për arsye të ndryshme, por problemi zse ne duhet të shkojmë parapara pavarësisht nga kjo," tha MacShane, pas një takimi me bartësin e Listës Qytetare "Ora", që ka dalë si subjekti i katërT për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet e 23 tetorit. Zoti Surroi tha se ua kishte dërgruar të gjitha forcave parlamentare të Kosovës një platformë të qeverisjes:
"Është një platformë e thjeshtë prej tre pikash, ku ceket së pari nevoja që Kosova të ketë pushtet dhe opozitë, së dyti që të ketë disa pika konsenzusi për pushtetin dhe opozitën dhe së treti ato që mendojmë se duhet të jetë plani dhe programi qeveritar me të cilin duhet të udhëhiqet qeveria e ardhshme".
Zoti MacShane do të takojë edhe kryeadministratorin Jessen Petersen, kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, përfaqësuesin e serbëve dhe Oliver Ivanoviç.

XS
SM
MD
LG